Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

“Do vrasim Messi”, alarmi gjatë botërorit/ Raporti i policisë amerikane zbulon prapaskenat në Kupën e Botës

schedule13:59 - 8 Gusht, 2026

schedule 13:59 - 8 Gusht, 2026

Pamjet e yjeve të futbollit teksa kontrolloheshin nga agjentët e sigurisë gjatë transfertave në Kupën e Botës bënë xhiron e botës dhe jo pak herë u shoqëruan me habi dhe polemika.

Por këto masa të rrepta mund t’i kënë shpëtuar jetën, mbi të gjithë Lionel Messi.

Detajet nga prapaskenat e sigurisë në Kampionatin e fundit Botëror krijojnë një tablo shqetësuese të asaj që ndodhi larg syrit të publikut. Siç raportohet nga gazeta spanjolle “Marca”, një raport i hartuar nga organet ligjzbatuese amerikane zbuloi detaje të operacioneve të përbashkëta të kryera nga FBI dhe IPCC, Qendra Ndërkombëtare e Bashkëpunimit Policor për të neutralizuar një sërë kërcënimesh me rrezik të lartë që kishin në shënjestër lojtarët dhe gjyqtarët gjatë turneut.



Lionel Messi ishte objektivi kryesor. Para ndeshjes së fazës së grupeve midis Argjentinës dhe Jordanisë, një telefonatë drejtuar aeroportit të Dallasit shkaktoi një alarm të kuq. Një burrë kërcënoi se do të hynte me forcë në stadium së bashku me dy bashkëpunëtorë të armatosur me një pushkë sulmi AR-15 dhe bomba artizanale duke përmendur shprehimisht yllin argjentinas si objektivin e tij.

Një alarm tjetër u shfaq para ndeshjes së fazës së 1/8-ave midis Argjentinës dhe Egjiptit. Një person i dyshuar publikoi një mesazh rrëqethës në rrjetet sociale: “Do të hyj në stadiumin e Atlantës dhe do ta hedh në erë Messin me katër bomba të lidhura në trupin tim.” Gjatë së njëjtës ndeshje, një telefonatë anonime raportoi për mjete shpërthyese të fshehura në koshat e plehrave të tribunave. Për fat të mirë, një kontroll nga njësitë e qenve të trajnuar për zbulimin e eksplozivëve konfirmoi se bëhej fjalë për një alarm të rremë.

Jo vetëm Lionel Messi, pasi edhe Cristiano Ronaldo tërhoqi vëmendjen e organeve të rendit për shkak të incidenteve që përfshinin shkelje të sigurisë. FIFA njoftoi FBI pasi një individ i dyshimtë kërkoi informacione konfidenciale lidhur me hotelin ku qëndronte kombëtarja portugeze.

Dy ditë më vonë, policia e Hjustonit lokalizoi dhe arrestoi burrin brenda hotelit të ekipit. Një incident i dytë ndodhi në Toronto, pasi një individ u ndalua ndërsa përpiqej të hynte fshehurazi në ashensorin e rezervuar për lojtarin portugez; më vonë ai shpjegoi se thjesht donte të bënte një “selfie” me idhullin e tij.

Një valë urrejtjeje ka goditur gjithashtu gjyqtarët, të cilët kanë paguar një çmim të shtrenjtë. Gjyqtari francez François Letexier, i cili u gjend në qendër të polemikave pas drejtimit të ndeshjes midis Argjentinës dhe Egjiptit, u sulmua nga më shumë se 6,000 mesazhe urrejtjeje dhe kërcënime me vdekje të dërguara në numrin e tij personal të “WhatsApp”.

Kolegu i tij, Willy Delajod, i cili shërbeu si zyrtar i VAR-it në të njëjtën ndeshje, pësoi të njëjtin fat. Ashpërsia e kërcënimeve i detyroi autoritetet franceze të organizonin masa sigurie dhe mbrojtje të veçantë për shtëpitë dhe familjet e këtyre zyrtarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!