Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani pritet të nënshkruajnë sot në Xheda një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë, sipas burimeve ushtarake dhe qeveritare të cituara nga AFP.
Marrëveshja vjen në një kohë kur situata e sigurisë në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në rajon.
Në takimin e nivelit të lartë do të marrin pjesë Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, dhe kryeministri i Pakistanit, Shahbaz Sharif. Pjesëmarrja e liderëve është konfirmuar nga Pallati Mbretëror në Riad, presidenca turke dhe autoritetet diplomatike pakistaneze.
Sipas një burimi në ushtrinë saudite, marrëveshja ka qenë në diskutim prej një periudhe të gjatë, por zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë përshpejtuar finalizimin e saj.
Megjithëse detajet e dokumentit nuk janë bërë ende publike, burimet bëjnë të ditur se ai synon forcimin e bashkëpunimit strategjik dhe koordinimit në fushën e mbrojtjes mes tre vendeve.
Marrëveshja pritet të shihet si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e partneritetit ushtarak dhe të sigurisë në rajon.



