Fillimi i mirë, gjysma e punës. Natyrisht, nuk është ndonjë arritje e jashtëzakonshme për Ernest Muçin kur shënon, por gjithsesi kjo vlen shumë në momentin aktual.
Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, tashmë me karton në pronësi të plotë të Trabzonsporit, I dha fitoren skuadrës së tij në një miqësore që e kishte një lloj niveli.
Përballë turqve ishte Udineze, skuadër e Serisë A, dhe kjo përgatitore u vendos pikërisht nga rrjeta e realizuar nga lojtari ofensiv.
Muçi shënoi shumë shpejt, që në 4’, dhe kjo goditje përcaktoi rezultatin.
Ylli kuqezi ishte mjaft aktiv dhe e kërkoi golin edhe herë të tjera, ndërsa u la në fushë për 61 minuta nga trajneri Fatih Teke, në momentin kur u bënë 7 ndryshime nga formacioni që nisi ndeshjen.
Në kompleksin stërvitor në Landskrona, shqiptari tregoi se mbetet një nga lojtarët kryesorë të Trabzonsporit, së bashku me sulmuesin Onuaçu.
Gjithsesi, duhet të presim nëse ai do të mbetet në këtë skuadër, apo do të ketë ndonjë akord për t’u transferuar tek Napoli në Itali apo Aston Vila në Angli.
Klubi turk ka kërkuar 25 milionë euro për kartonin sipas mediave në Stamboll.


