Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, deklaroi se Drejtoria Vendore e Policisë Berat renditet ndër strukturat me nivelin më të ulët të kriminalitetit në vend, duke theksuar se kjo nuk do të thotë ulje e angazhimit në luftën kundër krimit.
Deklaratat u bënë pas inaugurimit të godinës së re të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, një investim që, sipas Hites, do të përmirësojë kushtet e punës për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Këto ambiente moderne, të ndërthurura me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë ndaj qytetarëve, do të ndikojnë në forcimin e sigurisë si për banorët, ashtu edhe për turistët që vizitojnë Beratin,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm.
I pyetur nga gazetarët lidhur me vlerësimet që e rendisin Policinë e Beratit të parën për rendin dhe qetësinë, Hita tha se rezultatet janë fryt i punës së përditshme të strukturave vendore, por nënvizoi se Policia mbetet e fokusuar në parandalimin dhe goditjen e çdo fenomeni kriminal.
Ai veçoi si prioritete luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimit të bimëve narkotike, duke theksuar se këto problematika kërkojnë angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.
Sipas Hites, objektivi mbetet garantimi i rendit dhe sigurisë publike, si dhe krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.



