Sondazh

 

Nga rock-u te këngët e Isuf Myzyrit, të rinjtë që po rikthejnë muzikën e artë shqiptare. Historia frymëzuese e grupit “Rilindja”

schedule12:13 - 21 Korrik, 2026

schedule 12:13 - 21 Korrik, 2026

Kur shumica e të rinjve zgjedhin ritmet moderne, katër artistë nga Gjakova kanë vendosur të ecin në drejtimin e kundërt. Me pasion, kërkim dhe përkushtim, grupi “Rilindja” po i rikthen në skenë këngët qytetare dhe popullore shqiptare, duke u dhënë jetë tingujve që rrezikonin të mbeteshin vetëm në arkiva.

Në studion e ABC-së së Mëngjesit, Edri Stavileci, Ari Juniku, Aldi Bunjaku dhe vokalistja Arsa Kumnova rrëfyen historinë e grupit të tyre dhe misionin që i bashkon. Edhe pse janë pjesë e një brezi të ri, ata kanë zgjedhur të interpretojnë muzikën shqiptare të viteve ’60 dhe ’70, me synimin për ta ruajtur dhe promovuar si një nga pasuritë më të çmuara të identitetit tonë kulturor.

“Për ne kjo muzikë nuk është thjesht art. Është kujtesë, identitet dhe trashëgimi. Çdo këngë mbart një histori dhe një emocion që nuk duhet të humbasë,” u shprehën ata.
Ajo që e bën edhe më interesante historinë e grupit është fakti se fillimet e tyre nuk kanë qenë aspak në muzikën popullore.



“Ne dëgjonim dhe luanim kryesisht rock dhe rock klasik. Por në një moment zbuluam një botë tjetër, plot melodi, histori dhe emocione. Ishte një ndryshim që erdhi krejt natyrshëm.”
Ky transformim, sipas tyre, lidhet edhe me fëmijërinë, pasi pothuajse të gjithë janë rritur në familje ku këngët popullore kanë qenë pjesë e përditshmërisë.

Një nga veçantitë e grupit “Rilindja” është edhe formacioni instrumental. Ata interpretojnë me mandolinë, kontrabas, harmonikë dhe kitarë, duke ruajtur tingullin autentik të muzikës shqiptare të dikurshme.
Përzgjedhja e repertorit kërkon orë të tëra kërkimesh në arkiva dhe regjistrime të vjetra. Ata interpretojnë këngë nga të gjitha trevat shqiptare, duke sjellë sërish në skenë krijimet e artistëve legjendarë si Qamili i Vogël, Mazllum Meizini, Beqir Efendi Baraku, Mulla Hisen Dobraqi, Isuf Myzyri dhe Mustafa Budimi.

“Për ne është privilegj t’u japim jetë këtyre këngëve dhe t’i rikthejmë para publikut.”
Ndryshe nga perceptimi se muzika popullore nuk tërheq brezin e ri, përvoja e tyre tregon krejt të kundërtën.

“Sa herë interpretojmë këngë si ‘Moshë e bukur kjo rinia’ apo ‘Mora kitarën shokë’, shohim të rinj e të rritur që këndojnë bashkë me ne. Kjo na jep besim se kjo muzikë vazhdon të jetojë.”
Një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre ishte koncerti në Vjenë, në sallën “Haus der Begegnung”, në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit. Më pas ata performuan edhe në Graz, duke promovuar kulturën shqiptare për komunitetin shqiptar në Austri.

“Kudo që shkojmë kemi të njëjtin mision: t’u tregojmë të rinjve se muzika tradicionale shqiptare është një pasuri që duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.”
Për grupin “Rilindja”, tradita nuk duhet të mbetet vetëm një kujtim.

“Ajo duhet të jetojë në skena, në familje dhe në zemrat e njerëzve. Vetëm kështu trashëgimia jonë kulturore do të vazhdojë të jetojë.” Me energjinë e tyre, talentin dhe dashurinë për muzikën autentike shqiptare, këta të rinj po dëshmojnë se këngët e dikurshme nuk i përkasin vetëm së shkuarës, por kanë ende fuqinë të bashkojnë breza dhe të emocionojnë publikun edhe sot.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!