Rritja e interesit të turistëve të huaj po e kthen Shqipërinë në një nga destinacionet më unike dhe më premtuese europiane.
Revista e udhëtimeve “Travel and Tour World” e ka renditur vendin tonë si një nga atraksionet që po fiton popullaritet me ritme të shpejta, teksa nënvizon se vendi po përafron edhe standardet europiane të udhëtimit si pjesë e procesit të integrimit të vendin në Bashkimin Europian.
Sipas artikullit, kjo po shoqërohet edhe me lehtësimin e procedurave kufitare, reduktimin e kohës së pritjes si dhe përdorimin e sistemeve digjitale për manaxhimin e fluksit të udhëtarëve veçanërisht në aeroportin e vendit.
Po ashtu shton se qeveria nga ana tjetër po përqendrohet në balancimin e zgjerimit të turizmit me përmirësimet e infrastrukturës në të gjitha drejtimet apo edhe mbrojtjen e mjedisit, por rritja e shpejtë e turizmit sipas revistës së udhëtimeve shton nevojën për zgjerim të kapaciteteve në infrastrukturë por edhe në ndërtimin e strukturave pritëse kryesisht në qytetet bregdetare të vendit.
“Travel and Tour World” thotë se Shqipëria ofron një kombinim të rrallë që gjendet në Europë. Veccon rivierën Shqiptare me plazhet e Sarandës, Ksamilit, Himarës dhe Dhërmiut që vijojnë të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota, me qytetet historike pjesë e UNESCO, peizazhet malore, kuzhinën tradicionale si dhe akomodimin në strukturat turistike me çmime mjaft të arsyeshme.
Nuk lë pa përmendur edhe kryeqytetin e vendit, ku turistët mund shijojnë edhe jetën e natës dhe përvojat moderne që ofron Tirana.
Sipas “Travel and Tour World”, Shqipëria është tashmë e lidhur me tregjet evropiane të turizmit por edhe më gjerë përmes sistemit të udhëtimit pa viza për vizitorë nga shumë shteteve, duke e bërë vendin lehtësisht të aksesueshëm në çdo kohë të vitit.
/abcnews.al/



