Avokati Edmond Petraj thotë se skena e dhunshme në të ashtuquajturën kuvendi kombëtar të protestës, ku pati përplasje fizike mes pjesëmarrësve, ishte çarja finale mes tyre.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Petraj u shpreh se kauza është zëvendësuar nga protagonizmi dhe ata kanë treguar papjekuri.
Ndërsa gazetari Fatos Mahmutaj deklaroi se grindja e tyre u bë për protagonizëm.
Edmond Petraj: Ku kauza zëvendësohet nga protagonizmi, kur kërkesat e humbnin mes fjalimeve, protesta nuk i shërben më qytetarit, por një grupi të vogël që kërkon të përfitojë politikisht. Debatet që ata filluan sot, linte shumë për të dëshiruar. Ishte papjekuria mes tyre. Ky kuvend, përfundimisht, nxorri totalisht jashtë loje personat që ishin tek kuvendi. Kjo ka qenë çarja finale.
Fatos Mahmutaj: Unë do ta quaja garë për poste. Thjesht janë duke bërë plane, duke ndarë postet nëse do kemi zgjedhje. Kanë për të mbetur, po grinden për protagonizmin, për të qenë faktor në protestë. Ne nuk dimë kush janë organizatorët, financuesit. Ne akoma nuk e dimë planin, projektin e protestës. Nuk kemi një kokë të protestës. Ky lloj protagonizmi po e shkatërron këtë protestë. Unë kështu e shoh./abcnews.al



