Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Argjentina rrezikon masa disiplinore nga FIFA pas banderolës për Ishujt Falkland

schedule12:20 - 16 Korrik, 2026

schedule 12:20 - 16 Korrik, 2026

Argjentina mund të përballet me masa disiplinore nga FIFA pasi lojtarët e saj festuan fitoren në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë me një banderolë në mbështetje të pretendimeve të vendit të tyre mbi Ishujt Falkland.

Kampionët në fuqi të botës siguruan një fitore dramatike 2-1 ndaj skuadrës së Thomas Tuchel në Atlanta, duke përmbysur rezultatin në minutat e fundit dhe duke siguruar një vend në finalen e së dielës kundër Spanjës.

Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët argjentinas festuan duke shpalosur një banderolë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas”, që në shqip do të thotë: “Ishujt Falkland janë argjentinas.”



Ishujt Falkland, një territor britanik jashtë shtetit në Oqeanin Atlantik Jugor, mbeten objekt i një mosmarrëveshjeje të gjatë për sovranitetin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës.

Dy vendet zhvilluan luftë për kontrollin e ishujve nga prilli deri në qershor të vitit 1982. Konflikti 74-ditor u mori jetën 655 ushtarakëve argjentinas, 255 ushtarakëve britanikë dhe tre banorëve të ishujve.

Nuk është hera e parë që FIFA përballet me një rast të tillë. Në vitin 2014, Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit me 20 mijë paund pasi lojtarët shpalosën të njëjtën banderolë para një ndeshjeje miqësore me Slloveninë. Në atë kohë, FIFA argumentoi se veprimi përbënte shkelje të rregullave që ndalojnë mesazhet politike në aktivitetet futbollistike.

Pas fitores ndaj Anglisë, zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, reagoi në rrjetin social X duke shkruar se “nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli”, ndërsa publikoi një video me ushtarë argjentinas.

“Ishujt Falkland janë argjentinas. Ata ndaluan ta shfaqnin këtë mesazh në stadium, por nuk mund ta fshijnë nga gjaku dhe zemrat tona”, shkroi ajo.

Edhe para ndeshjes, Villarruel kishte deklaruar se gjysmëfinalja ishte një mundësi “për t’i vënë pushtuesit në vendin e tyre”.

Nga ana tjetër, Sekretari britanik i Shtetit për Biznesin dhe Tregtinë, Peter Kyle, e cilësoi shfaqjen e banderolës si “krejtësisht të papërshtatshme” dhe tha se pret që FIFA të hapë një hetim të plotë.

“Mendoj se një hetim është pothuajse i pashmangshëm, sepse bëhet fjalë për një shkelje serioze të rregullave që ndalojnë aktivitetin politik në futboll”, deklaroi ai për BBC Breakfast.

Lojtarët argjentinas kishin kënduar edhe më herët këngë me referenca për Ishujt Falkland, Diego Maradonën dhe Lionel Messin, pas fitores 3-2 ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-ve.

Megjithatë, trajneri Lionel Scaloni kishte insistuar para gjysmëfinales se futbolli nuk duhej të përzihej me politikën.

“Është një ndeshje futbolli. Nuk duhet t’i ngatërrojmë këto çështje, sidomos nga respekti për atë që ka ndodhur shumë vite më parë. Ishte një periudhë shumë e dhimbshme në historinë tonë. Ne i kujtojmë ata njerëz, por kjo mbetet një ndeshje futbolli dhe nuk duhet të përzihet me politikën”, ishte deklarata e tij.

Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Argjentinës, e fituar nga amerikanolatinët falë golave të vonë të Enzo Fernández dhe Lautaro Martínez, u zhvillua nën masa të shtuara sigurie për shkak të rivalitetit historik dhe tensioneve mes dy vendeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!