Transaksionet në monedhën europiane kanë regjistruar nivele rekord në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë pagesat në euro të kryera brenda vendit përmes sistemit AIPS EURO kanë vijuar të zgjerohen si në numër , ashtu edhe në vlerë. Përgjatë pjesës së parë të vitit janë realizuar rreth 239 mijë transaksione, me një vlerë totale prej 3.6 miliardë euro.
Nëse bëjmë një vlerësim rezulton se mesatarisht, përmes sistemit AIPS EURO janë transferuar mbi 600 milionë euro në muaj, duke pasqyruar rëndësinë që ky sistem ka për ekonominë shqiptare.
Vetëm në qershor në transaksionet në euro arritën në vlerën 707.6 milonë euro ose shifrën më të lartë të regjistruar përgjatë këtij viti.Nëse e krahasojmë me një muaj më parë rezulton se janë realizuar 85.7 milionë euro më tepër pagesa nëpërmjet këtij sistemi. AIPS EURO përdoret kryesisht nga qeveria për pagesa në euro, nga bizneset për transfertat me vlera të mëdha, si edhe nga bankat për pagesat ndërbankare.
Këto shifra konfirmojnë faktin se në ekonominë shqiptare qarkullon sasi e lartë e monedhës europiane duke bërë që në kursin e këmbimit euro të regjistrojë nivele mininimale.Sipas kursit një euro po këmbehet aktualisht me 93 lekë dhe tendenca është që të vijoj ulja pasi jemi në pikun e sezonit turistik ku ka fluks të monedhës europiane nga turistët dhe emigrantët.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë Euro ka rënë në rreth 93.7 lekë, nga afro 98 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një zhvlerësim prej mbi 4 për qind ndaj lekut.
Sipas agjentëve të kursit të këmbimit euro do vijoj të mbetet e dobët përballë lekut si pasojë e fluksit turistik që pritet për këtë vit./abcnews.al



