Historia e Ilirëve vazhdon të jetë një nga temat më të debatuara të Ballkanit, por një botim i ri i arkeologut dhe studiuesit Luan Përzhita sjell një këndvështrim të mbështetur mbi dekada kërkimesh shkencore dhe zbulimesh arkeologjike.
Libri “Refleksione mbi Ilirët” përmbledh studime të realizuara pas një pune shumëvjeçare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, duke trajtuar çështje që prej vitesh kanë ngjallur debate mes historianëve dhe arkeologëve.
Përmes të dhënave konkrete nga gërmimet arkeologjike, autori analizon hapësirën historike të Ilirëve në Gadishullin Ballkanik, rolin e tyre në qytetërimin mesdhetar, si edhe vazhdimësinë historike të këtyre trojeve gjatë periudhave të ndryshme.
Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet figurave historike që, sipas autorit, janë lënë në hije nga historiografia. Mes tyre spikat mbreti Glaukia, i cili paraqitet si një diplomat dhe strateg që e ngriti Mbretërinë Ilire në një nivel të lartë politik e ushtarak, si dhe mbreti Gent, sovrani i fundit i Mbretërisë Ilire, i njohur për reformat në administratë, organizimin monetar dhe luftërat kundër Romës.
Në libër trajtohen edhe episode pak të njohura të qyteteve antike si Lisi, Bylisi, Dyrrahu, Apollonia, Ulpiana, Scupi, Domastioni dhe Berati, duke sjellë fakte dhe interpretime të reja mbi zhvillimin e tyre historik.
Një kapitull i veçantë i kushtohet kontributit të arkeologjisë shqiptare në sqarimin e çështjeve të debatueshme që lidhen me Ilirët, duke theksuar rolin e kërkimeve shkencore në ndërtimin e një tabloje të bazuar mbi prova dhe jo mbi interpretime politike apo nacionaliste.
Libri mbyllet me një bibliografi të pasur dhe ilustrime që plotësojnë analizat historike, duke e kthyer këtë botim në një referencë të rëndësishme për të gjithë ata që duan të njohin më mirë historinë e Ilirëve dhe qytetërimin e tyre.
Në ABC e Mëngjesit, arkeologu Luan Përzhita rrëfen detaje nga ky botim, zbulimet më interesante të karrierës së tij dhe përgjigjet mbi pyetjet që vazhdojnë të ngjallin debat: Deri ku shtrihej Iliria antike? Kush ishin figurat më të rëndësishme të saj? Dhe çfarë tregojnë sot provat arkeologjike për historinë e Ilirëve?/abcnews.al



