Një udhëtim që ishte planifikuar të zgjaste vetëm tre ditë i ndryshoi rrënjësisht jetën Xhuljano Halilit. Sot, 35-vjeçari nga Vlora jeton prej tetë vitesh në Maltë dhe po korr suksese në arenën ndërkombëtare të mundjes së dorës (armërestling), duke përfaqësuar shtetin maltez, por pa e harruar asnjëherë flamurin shqiptar.
I ftuar në një lidhje direkte në “ABC e Mëngjesit” nga Malta, Xhuljano rrëfeu emocionet e suksesit të tij më të fundit në turneun Dobra Voda Cup 2026, të zhvilluar në Sllovaki. Ai u rendit i treti mes 12 sportistëve më të mirë në kategorinë e peshave të rënda (+120 kilogramë), ku përballë kishte kundërshtarë nga Austria, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Ukraina.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë arritje është fakti se Xhuljano merret me këtë sport prej vetëm një viti e gjysmë, ndërsa rivalët e tij kishin nga shtatë deri në dhjetë vite eksperiencë. Madje, ai arriti të fitonte vendin e parë me dorën e djathtë, duke konfirmuar potencialin e tij në këtë disiplinë.
Rrugëtimi i tij drejt sportit nisi krejt rastësisht. Fillimisht emigroi në Finlandë, por më pas shkoi në Maltë për disa ditë pushime. Aty gjeti punë, krijoi familje me bashkëshorten e tij malteze dhe vendosi të ndërtonte jetën në ishull.
Pasioni për mundjen e dorës lindi falë nxitjes së miqve dhe një sportisti serb, i cili e inkurajoi ta merrte seriozisht këtë disiplinë. Sot ai stërvitet rreth dy orë çdo ditë, duke ndjekur një regjim të rreptë fizik dhe teknik.
Rezultatet nuk vonuan. Pas vetëm gjashtë muajsh stërvitje fitoi medaljen e parë në Itali, më pas u shpall kampion në Sicili me të dyja duart dhe vazhdoi të konkurrojë në turne prestigjioze në Austri e Sllovaki.
Edhe pse garon nën flamurin e Maltës, Xhuljano thotë se në çdo podium mban me krenari edhe flamurin kuqezi. Synimi i tij është të vazhdojë të garojë në nivelet më të larta europiane dhe botërore, duke treguar se puna, përkushtimi dhe besimi në vetvete mund të kthejnë çdo ëndërr në realitet./abcnews.al



