Nga një periudhë e errët, ku ndihej e humbur dhe pa besim tek vetja, sot është kthyer në një nga zërat më motivues për gratë që duan të ndryshojnë jetën e tyre. Historia e Anxhela Hizmos nuk është thjesht historia e një vajze që humbi gati 30 kilogramë, por e një gruaje që vendosi të luftonte për veten dhe të mos dorëzohej.
E lidhur drejtpërdrejt nga Italia për “ABC e Mëngjesit”, trajnerja personale rrëfen se gjithçka nisi në një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Ajo e kuptoi se nuk mund të vazhdonte më në të njëjtën mënyrë dhe vendosi të bënte hapin e parë drejt ndryshimit.
Nga mbi 85 kilogramë, Anxhela arriti në 57 kilogramë, por thotë se transformimi më i madh nuk ndodhi në trup, por në mendje. Ajo rifitoi vetëbesimin, qetësinë dhe dashurinë për veten, duke e kthyer sportin në një mënyrë jetese dhe jo thjesht në një mjet për të humbur peshë.
Rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë. Pas çdo rezultati fshihen sakrifica, ditë të vështira dhe shumë disiplinë. Dyshimet dhe paragjykimet e të tjerëve nuk e ndalën, por u shndërruan në forcën që e shtyu të ecte përpara.
Pikërisht kjo eksperiencë e bëri të studionte anatominë e trupit, të diplomohej si trajner personale dhe ta kthente pasionin në profesion. Sot misioni i saj është të ndihmojë të tjerët të shmangin gabimet që ajo vetë ka kaluar dhe t’u tregojë se nuk ekziston një formulë e vetme për suksesin.
Anxhela thekson se çdo program duhet të përshtatet sipas moshës, peshës, stilit të jetesës dhe nevojave të secilit. Sipas saj, ushqimi përbën rreth 70-80% të rezultatit, ndërsa dietat ekstreme janë një nga arsyet kryesore pse shumë njerëz dështojnë.
Ajo beson se nuk është e nevojshme të kalosh orë të tëra në palestër për të parë ndryshime. Edhe stërvitjet në shtëpi mund të japin rezultate të shkëlqyera, nëse shoqërohen me disiplinë dhe zakone të shëndetshme.



