Ishte e habitshme kjo zgjedhje. Pas një Kristian Asllani që shkoi të paktën për një fazë, ja ku kemi edhe Ylber Ramadanin që braktis Serinë A të Italisë, një nga pesë ligat më të forta të Europës e të botës, për të shkuar në Dardanele.
Mesfushori i kombëtares shqiptare zgjodhi një skuadër modeste të Superligës së Turqisë, Çorum, që u ngjit vetëm këtë sezon në elitë, dhe shumëkush bëri pyetjen “përse”.
Siç sqarojnë mediat në Apenine, Ramadani paska pasur një arsye të fortë për t’u larguar nga kampionati i zotërinjve, dhe kjo arsye është rroga.
Diferenca me atë që merrte tek Leçe, është më shumë se dy herë. Klubi puljez i jepte shqiptarit nga Maqedonia më pak se 600 000 euro në sezon, ndërsa pritet që Çorum t’i kalojë në bankë 1.5 milionë.
Në këtë aspekt, vendimi është tërësisht logjik, ndërsa 30-vjeçari ndjek modën e viteve të fundit të kuqezinjve. Në Turqi luajnë edhe Muçi, Laçi, Ajeti, Roshi si dhe deri në maj Asllani.
Në Itali, për Leçen, Ramadani luajti gjithsej 104 ndeshje, duke shënuar 3 gola e shërbyer një asist, por kontributi i tij ka qenë shumë më i madh me kilometrat e përshkuara në fushë, si I pakalueshëm në mbrojtje, dhe si lojtar i sakrificës që ka luajtur edhe kur ka qenë i dëmtuar. Për mër tepër, të paktën dy herë ka shënuar në fund duke siguruar praktikisht mbijetesën në Serinë A.



