Nuk pritej të ishte aq e ashpër që në fillim. Ndoshta do të duhej të pritej pak më tepër për të parë rivalitetin në Turin e Francës, por itinerari që kanë krijuar organizatorët nuk I ka lënë rrugë tjetër kandidatëve për titull.
Një tjetër duel i fortë, këtë herë rrotë më rrotë mori jetë në etapën e dytë, pasi Jonas Vingegard fitoi konkurrencën në distancë ndaj Tadej Pogaçarit në etapën e parë, atë të kronometrit ekipor. Ishin 168.5 km nga Tarragona në Barcelonë, me tre xhiro në fund në cirkuitin e Montzhuikut, në një kodër, dhe danezi e slloveni dhanë sërish spektakël.
Pati ngjitje edhe të kategorisë së dytë, apo edhe ngjitje si ajo në Kotë dë Shato në Montzhuik, 1.6 km e gjatë me pjerrësi 9.3 për qind. Vingegard, që fitoi Fanelën e Verdhë në etapën e parë, dhe kampioni në fuqi, Pogaçar, ruajtën njëri-tjetrin në pjesën më të madhe të kohës, të ndihmuar nga skuadrat e tyre. Drama u konsumua në fund, pikërisht në ngjitjen e kodrës prej 700 metrave me pjerrësi në ngjitje 7 për qind.
Pogaçar sulmoi duke e lënë prapa Fanelën e Verdhë, por nuk deshi të përfitonte plotësisht.
Përse?
Slloveni, katër herë fitues I Turit të Francës, bëri një veprim të madh duke i falur me bujari fitoren e etapës shokut të tij të skuadrës, Isak Del Toro. Kjo ishte etapa e parë e fituar nga meksikani I ri, 22-vjeçar në karrierën e tij në Turin e Francës, ndërsa vjet u shpall kampion I Xhiros së Italisë për moshat e reja, duke fituar gjithashtu një etapë. Pamja e dy shokëve të ekipit duke kaluar cakun ishte vërtet e bukur, ndërsa Pogaçar tani është vetëm 6 sekonda prapa Vingegardit, duke përgjysmuar diferencën kohore./abcnews.al



