Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Autoritetet ruse ndalojnë shitjen e karburanteve në Krime

schedule19:44 - 22 Qershor, 2026

schedule 19:44 - 22 Qershor, 2026

Autoritetet e instaluara nga Rusia në Krimenë e pushtuar pezulluan shitjen e karburanteve për individë dhe biznese, për shkak të një mungese të theksuar të tyre dhe një sezoni të dobët turistik.

Sergei Aksyonov, kreu prorus i gadishullit, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme nga Ukraina në vitin 2014, tha se, nga 21 qershori, pikat e karburanteve në Krime nuk do t’i shesin askujt, përveç agjencive shtetërore.

“Karburanti do të furnizohet ekskluzivisht për agjencitë shtetërore përgjegjëse për mirëmbajtjen e shërbimeve thelbësore dhe garantimin e sigurisë”, tha Aksyonov në një video të shkurtër, të shpërndarë në Telegram.



Ai nuk dha ndonjë afat të qartë se kur do të rifillojë shitja e karburanteve.

Autoritetet ruse në Krime kanë pasur prej kohësh vështirësi për të siguruar furnizime të mjaftueshme për rreth 2 milionë banorët, përfshirë ujë dhe ushqim.

Tani, në sfondin e zhvillimeve të fundit në luftën në Ukrainë, në fokus ka dalë edhe mungesa e karburanteve.

Gjatë muajve të fundit, ushtria ukrainase ka shtuar sulmet me dronë, duke goditur kamionët që transportojnë karburante drejt Krimesë.

Ky rajon lidhet me Rusinë vetëm përmes Urës së Kërçit dhe një korridori rreth 100 kilometra të territorit të pushtuar ukrainas.

Po ashtu, Ukraina ka goditur edhe rafineritë e naftës, tubacionet dhe infrastrukturën tjetër energjetike në Rusi.

Këto sulme kanë ndikuar në mungesën e karburanteve jo vetëm në Krime – ku ekonomia varet shumë nga turistët rusë – por edhe në pjesë të tjera të Rusisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!