Izraeli ka njoftuar se do të ndërpresë kontaktet me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, pas raportimeve se ajo kishte krahasuar trajtimin e palestinezëve nga Izraeli me sistemin e aparteidit në Afrikën e Jugut.Vendimi u bë publik nga ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i cili reagoi ashpër ndaj deklaratave të raportuara nga media evropiane Euractiv.
“Nuk kam zgjidhje tjetër veçse të ndërpres çdo kontakt me zonjën Kallas derisa ajo të tërheqë shpifjen e rëndë që i ka drejtuar të vetmit shtet hebre në botë, i cili është gjithashtu e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme”, shkroi Saar në platformën X.
Sipas raportimit të Euractiv, komentet e Kallas janë bërë gjatë një vizite në Meksikë në muajin maj, ku ajo thuhet se ka bërë krahasime mes politikave izraelite ndaj palestinezëve dhe sistemit të aparteidit në Afrikën e Jugut.
Nga ana e saj, Kallas nuk ka konfirmuar raportimet, por ka reaguar përmes një postimi në X, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar dialogun me Izraelin.
“E vlerësoj dialogun dhe angazhimin tonë dhe jam e hapur ta vazhdoj atë në mënyrë të respektueshme dhe konstruktive”, shkroi ajo.
Diplomatja evropiane ritheksoi gjithashtu qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian se zgjidhja me dy shtete mbetet rruga e vetme e qëndrueshme për paqen në Lindjen e Mesme.
“Për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme, zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e realizueshme. BE-ja ka dënuar vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat e bëjnë gjithnjë e më të vështirë arritjen e këtij objektivi. Ky është pozicioni i Bashkimit Evropian”, theksoi Kallas.
Përplasja shënon një tjetër tension diplomatik mes Izraelit dhe institucioneve evropiane, në një kohë kur lufta në Gaza dhe çështja palestineze vazhdojnë të jenë në qendër të debateve ndërkombëtare.



