LEZHË – Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Llogaritë”, duke zbardhur një seri vjedhjesh të ndodhura gjatë muajve maj dhe qershor 2026 në qytetin e Lezhës. Si rezultat i hetimeve, është arrestuar një 21-vjeçar, ndërsa bashkëpunëtori i tij i dyshuar është shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, në pranga ka rënë shtetasi Manuel Medja 21 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa po punohet për kapjen e shtetasit Elger Uka 26 vjeç. Hetimet kanë nxjerrë në pah se dy të rinjtë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të vjedhur xhirot ditore në 12 subjekte tregtare të qytetit.
Veprimet hetimore nisën pas kallëzimeve të administratorëve të disa bizneseve, të cilët raportuan vjedhjen e të ardhurave ditore nga subjektet që drejtonin.
Policia vijon punën për arrestimin e 26-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve ku mund të jenë të përfshirë të dyshuarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.



