Emigrantët po sjellin gjithnjë e më shumë para në atdhe. Vetëm në periudhën janar-mars të këtij viti, dërgesat e emigrantëve sipas Bankës së Shqipërisë arritën në 274 milionë euro, duke u zgjeruar me 9% kundrejt tremujorit të parë të vitit që lamë pas.
Remitancat mbeten një ndër burimet më të rëndësishme të të ardhurave për ekonominë shqiptare. Rritja e tyre sipas bankës është vërejtur këtë periudhë si përmes kanaleve formale, ashtu edhe në formën cash.
Peshën kryesore e mbajnë flukset e ardhura nga Italia dhe Greqia, aty ku jetojnë dhe punojnë pjesa më e madhe e emigrantëve, por edhe nga vende të tjera ku është e shpërndarë diaspora shqiptare.
Paralelisht, rritje në tre muajt e parë të vitit kanë regjistruar edhe investimet e huaja direkte duke arritur në 404 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, flukset e investimeve të huaja u zgjeruan me 11.6% sipas Bankës së Shqipërisë.
Sektori i pasurive të paluajtshme mbetet një nga kontribuuesit më të mëdhenj në flukset hyrëse të investimeve. Edhe në këtë fillim viti shënuan tjetër zgjerim duke arritur në 174 milionë euro, teksa rritja e interesit për tregun shqiptar është mbështetur edhe nga zgjerimi i turizmit në vend.
Ndërkohë, sektorë të tjerë ku janë përqendruar flukset e investimeve të huaja përfshijnë ndërmjetësimin financiar, energjinë, komunikacionit dhe hidrokarburet.
Dërgesat e emigrantëve, së bashku me të ardhurat nga turizmi dhe investimet e huaja përbëjnë tre nga burimet kryesore të prurjeve valutore në ekonomi, duke shtuar ofertën në treg e duke ndikuar edhe kursin e këmbimit valutor.



