Më shumë se për futbollin, në orët e fundit përpara nisjes së “Botërorit 2026” po flitet për gjëra që nuk kanë lidhje me turneun më të rëndësishëm në planet. Madje, për gjëra që nuk kishin ndodhur kurrë më parë në edicionet e kaluara të këtij kompeticioni.
Meritë e autoriteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos të agjentëve doganorë në aeroportet në vend.
Pas ndalimit për shtatë orë të kapitenit të Irakut në aeroportin e Chicago dhe kthimin pas në shtëpi të arbitrit më të mirë të Afrikës, somalezit Omar Artan, të thirrur nga FIFA për sfidat e Kupës së Botës, polemikat dhe kritikat janë ndezur sërish pas publikimit të disa videove, të cilësuara denigruese dhe shqetësuese.
E para ka përjetësuar mbërritjen e kombëtares së Senegalit në aeroportin e San Antonio.
Siç duket nga pamjet, futbollistët, stafi teknik dhe delegacioni shoqërues iu nënshtruan kontrolleve të rrepta në pistë, sapo zbritën nga avioni.
Vetëm pas këtyre kontrolleve skrupoloze të agjentëve doganorë dhe atyre të sigurisë, skuadra senegaleze mundi të vazhdojë normalisht rrugën drejt kampit bazë.
Me të njëjtin trajtim u përball edhe kombëtarja e Uzbekistanit, sapo mbërriti në Nju Jork për ndeshjen e fundit miqësore kundër Holandës.
Futbollistët e drejtuar nga një kampion bote si Fabio Kanavaro, madje vetë trajneri italian dhe stafi I tij iu nënshtrua kontrolleve me “metal detector”.
Këto pamje kanë ndezur sërish polemikat përpara “Botërorit 2026”, ndërsa autoritetet amerikane duket se nuk kanë ndërmend të tërhiqen.


