Të identifikuara më së shumti me muzikën popullore, klarineta dhe fizarmonika vazhdojnë të mbeten ndër veglat muzikore te dashura edhe për brezin e ri. Në shkollën Besëlidhja në Lezhë, tingujt e tyre dëgjohen çdo ditë në klasat e muzikës, aty ku të rinjtë jo vetëm mësojnë teknikën e interpretimit, por edhe krijojnë lidhjen e tyre me artin dhe skenën.
Edhe pse shpesh konsiderohen si instrumente tradicionale, klarineta dhe fizarmonika kanë një rol të rëndësishëm edhe në muzikën e kultivuar. Nxënësit e kësaj shkolle interpretojnë pjesë të njohura klasike, por edhe vepra moderne, duke sjellë në skenë një kombinim të traditës me frymën bashkëkohore. Për mësuesit, këto vegla mbeten ndër më të veçantat për emocionin dhe fuqinë shprehëse që përcjellin.
Klarineta dhe firzamonika jane bërë tashmë pjesë e pandashme e aktiviteteve artistike që organizohen në shkollë dhe në skena te ndryshme kulturore të qytetit. Interpretimet e nxënësve kanë sjellë jo vetëm muzikë popullore, por edhe pjesë të repertorit klasik.
Në të njëjtën mënyrë, ato vazhdojne të mbajne një vend të rëndësishëm në formimin muzikor të të rinjve. Me tingullin e saj karakteristik dhe mundësitë që ofron në interpretim, ajo është bërë pjesë e shumë koncerteve dhe aktiviteteve artistike ku nxënësit performojnë për publikun.
Përtej skenës dhe koncerteve, ajo që bie në sy është interesimi gjithnjë në rritje i të rinjve për këto dy vegla muzikore. Mësuesit tregojnë se nxënësit i përvetësojnë me dëshirë dhe angazhohen seriozisht në studimin e tyre, duke e parë muzikën si një mundësi për të zhvilluar talentin dhe për t’u përfshirë në jetën artistike.Sipas tyre, shumë të rinj po e ndjekin me pasion rrugën e muzikës, ndërsa puna e vazhdueshme në klasë dhe interpretimet në skenë po i ndihmojnë të fitojnë siguri dhe eksperiencë artistike.
Pasioni për muzikën ndihet edhe tek vetë nxënësit. Shumë prej tyre thonë se klarineta dhe fizarmonika janë instrumente që përcjellin emocione të forta dhe u japin mundësinë të shprehin ndjenjat përmes tingujve. Për ta, muzika nuk është vetëm një mësim, por një mënyrë komunikimi dhe një ëndërr për të ardhmen.
Në një kohë kur ritmet moderne dominojnë preferencat muzikore të brezit të ri, klarineta dhe fizarmonika vazhdojnë të mbeten instrumente me identitet të fortë artistik. Në shkollën “Besëlidhja” në Lezhë, ato po përcillen tek të rinjtë jo vetëm si pjesë e traditës shqiptare, por edhe si një mënyrë për të edukuar talentin, disiplinën dhe dashurinë për muzikën.


