Duhen paraqitje historike, për të kthyer fatin për së mbari. San Antonio Spërs shmangën eliminimin në finalen për titull në Konferencën Perëndimore në NBA, duke barazuar rezultatin në 3-3.
Suksesi ndaj Oklahomës këtë herë ishte I thellë, 118-91, dhe kjo falë dy elementëve. Së pari, falë gjigandit francez Viktor Uembanijama, si dhe falë lojës shumë të fortë në mbrojtje.
I mbiquajturi “Uembi” shënoi 28 pikë, përfshi edhe katër gjuajtje nga distanca, po ashtu shtoi 10 topa në tabela, 2 vjedhje topash e dy bllokime gjuajtjesh.
Francezi u bashkua me legjendat e së kaluarës, Dejvid Robinson e Tim Dankën, si të vetmit basketbollistë në historinë e klubit që kanë 5 ndeshje në plej of me të paktën 25 pikë të shënuara dhe 10 topa në tabela.
Gjithsesi, San Antonio luajti mirë si skuadër, dhe dominoi me shumë më tepër asiste dhe topa të kapura në tabela. Këtë herë kampionët në fuqi nga Oklahoma nuk ishin vetvetja.
Ylli I tyre kryesor, Shei Gilgës-Aleksandër, shënoi vetëm 15 pikë e duke gabuar shumë në gjuajtje, ndërsa shokët e tij ishin edhe më dobët.
Basketbollisti më I mirë në NBA në dy sezonet e fundit, u mbulua fort nga vendasit.
Ndeshja e shtatë dhe e fundit që do të përcaktojë titullin në Perëndim, dhe do të sigurojë kalimin në finalen e madhe, do të luhet në Oklahomë mëngjesin e 1 qershorit, sipas orës së Shqipërisë.


