Debutimin rastësor e pati negativ. Davide Ançeloti, “biri i artit” siç thonë në Itali dhe me mbiemër shumë të famshëm, pësoi humbje kur Napoli i tij luajti në nëntor 2019 në fushën e Romës në Serinë A, ndërsa trajneri i parë, Karlo Ançeloti ishte i pezulluar.
Kanë kaluar shumë vite si numri 2 dhe në moshën 36-vjeçare, ai ka vendosur ta provojë të jetë i pari. Njoftimet nga mediat spanjolle, konkretisht nga e përditshmja e Madridit, “Marka”, janë që ai do të ulet në stolin e skuadrës së Ligës së Parë të Francës, Lilë.
Flitet për një marrëveshje me ekipin e vetëm që ka mundur të thyejë dominimin e Paris SG në Francë që nga viti 2018.
A mund të thuhet në këtë rast “bëmë baba të të ngjaj”?
Shanset mund të jenë shumë të mira, por vetëm fusha do ta tregojë, nëse ai do t’i afrohet sado pak Ançelotit të madh, që ka fituar gjithçka përfshi edhe një numër rekord prej 6 trofesh në Champions.
Davide Anceloti ka qenë ndihmës i të mbiquajturit “Karleto” tek Bajerni në Gjermani, në Itali tek Napoli, në Angli tek Evertoni, apo në Spanjë tek Reali I Madridit.
Në stolin “merenges”, po ashtu ishte trajner i parë në një rast, në prill 2022 në ndeshjen e La Ligës kundër Seltës. Natyrisht, ky tek Lila nuk është një debutim absolut, sepse vitin e kaluar, Davide u bë trajner i parë i Botafogos në Brazil, duke punuar nga korriku në dhjetor e duke u shkarkuar pasi ekipi doli në vend të gjashtë në ligë./abcnews.al


