Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin e tij në prag të festës së Kurban Bajramit, theksoi se qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohen mbi çdo interes politik.
Ai gjithashtu i bëri thirrje partive politike që të tregojnë unitetet dhe të punojnë për qytetarët, ndërsa e cilësoi 7 qershorin si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Më 7 të muajit të ardhshëm vendi ynë përballet me një moment vendimtar për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e shtetit. Është dita kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim, dita kur vota bëhet forcë, përgjegjësi dhe shpresë për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim, unitet dhe vizion”, deklaroi Tërnava.
Ai kërkoi që partitë politike të fokusohen te programet dhe vizioni për vendin, duke shmangur retorikën përçarëse.
“Andaj ju bëj thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me maturi, dinjitet dhe respekt, larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes. Le të garohet me ide, vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut, sepse sovrani është qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik”, u shpreh Myftiu i Kosovës.
Në fund të mesazhit të tij, Tërnava theksoi se pavarësisht rezultatit zgjedhor, Kosova ka nevojë për unitet dhe bashkëpunim.


