Dashnor Kaloçi
Publikohet historia e panjohur me dëshmitë rrënqethëse të Kristo Budos, ish-partizan me funksione drejtuese dhe i burgosur në Kampin e Prishtinës gjatë Luftës, dhe pas saj, me detyra të larta, si: zv/ Kryetar i Degës së Brendëshme të Peshkopisë, Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Fierit dhe kryeinspektor i Kryeministrisë, i cili u arrestua në vitin 1959 duke u akuzuar si “agjent i grekëve”, gjë për të cilën i kishin pushkatuar dhe babanë, Thoma Budon.
Kujtimet e Budos: “Si më torturonin në pyjet e Kërrabës oficerët Asaf Kondi, Irfan Hoxha, Hilmi Dume, etj., me mënyra çnjerzore në prezencën e Prokurorit të Përgjithshëm, Arianit Çela dhe ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, i cili më tha: ‘Kristo, kam urdhër të vë nën torturë”. Si dhe gjyqi ndaj Budos pas dy vjet e gjysëm hetuesie ku i fusnin si provokatorë e dëshmitarë persona që ishin dënuar me vdekje, dhe si arriti Kryehetuesi, Nevzat Haznedari, të mos pranonte vendimin e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë ku asistonin: Bilbil Klosi, Ministër i Drejtësisë, Nedret Hoxha, zv / ministër, Irakli Bozo, Frederik Nosi, Llazi Stratobërdha, etj., që i dha pafajësinë Kristos, duke e dërguar atë përsëri në burg dhe internim?!
Ndërsa Gjykata e Lartë e shpallte të pafajshëm dhe urdhëronte lirimin e tij në sallën e gjyqit, Kryehetuesi i Republikës, gjeneral Nevzat Haznedari, urdhëronte të rikthehej përsëri në qeli. Kështu i ka ndodhur Kristo Budos, ish-kuadër i lartë i brigadave partizane gjatë Luftës dhe i burgosur në Kampin e Prishtinës, e pas mbarimit të Luftës si zv/Kryetar i Degës së Brendshme të Peshkopisë, Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Fierit e Inspektor i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i cili në vitin 1959 u arrestua duke u akuzuar si agjent i zbulimeve greke, gjë për të cilën pak kohë më parë i kishin pushkatuar dhe babanë, Thoma Budon, (po me të njëjtën akuzë, si “agjent i grekëve”), ku më pas vetë krerët më të lartë të Ministrisë së Brendëshme dhe Hetuesisë së Përgjithshëme të Republikës, e torturuan Budon me mënyrat më çnjerzore për dy vjet e gjysëm në pyjet e Qafë Krrabës.
Për të gjitha këto e peripecitë e shumta që kaloi në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ku vuajti për 15 vite, i ndjeri Kristo Budo i ka lënë të shkruara në disa fletore, ku bashke me shumë foto të tij, na i ka dhuruar pak para se të ndërronte jetë në vitin 2004, për t’i bërë ato publike në shtyp, ashtu siç kishim botuar në gjallje të tij disa shkrime dhe intervista me z. Budo, ku ai tregonte edhe për torturat ç’njerëzore që kishin bërë ndaj tij disa nga kuadrot kryesorë të Ministrisë së Brendëshme, Hetuesisë së Përgjithshme dhe Sigurimi i Shtetit. Në përmbushje të dëshirës të të ndjerit Budo, apo më saktë një amaneti të tij, dhe gjithashtu në vijim të shkrimeve të ndryshme ku bëhet fjalë për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, që Memorie.al ka publikuar dhe do vazhdojë të publikoj përsëri, në këtë shkrim po publikojmë një pjesë nga kujtimet e tij dhe bashkë me to edhe foto të ndryshme të Kristo Budos që nga periudha kur ai ishte me funksione të larta shtetërore, me kolegë, me familjen e tij, etj. Si dhe foto të tjera pas viteve, ku Kristo Budo ka dalë në aktivitete të ndryshme, si me ambasadorin zviceran, me Osman Kazazin e Ymer Dishnicën, si dhe ato të ceremonisë së zhvarrimit të eshtrave të babajt të tij, Thoma Budo, i pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1959, bashkë me: Kiço Kuqeshi, Hajredin Cane, Janaq Ruçi, Mihal Cini, Thanas Vidhe dhe Shahin Braho, eshtrat e të cilëve u gjetën në vitin 1994 në fshatin Myshqeta.
Kujtimet e Kristo Budos: Torturat në prezencën e Hazbiut
“Në majin e vitit 1959 kur isha me shërbim në rrethin e Tropojës, u arrestova nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se “isha vënë në shërbim të grekëve”. Akuzën e kam hedhur poshtë dhe kam deklaruar si në hetuesi, në tortura dhe në sallën e gjyqit, se kurrë nuk kisha tradhëtuar atdheun. Kam kërkuar të bëheshin verifikime, mbasi akuzat nuk ishin të vërteta. Këtë gjë e kam thënë edhe përpara ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiut, bile edhe me një letër me shkrim. E kam thënë edhe para Rexhep Kollit, Aranit Çelës, Faik Minarollit, Nevzat Haznedarit, Asaf Kondit etj. U mbajta për dy vite e gjysëm në Hetuesi (birucë), pa më nxjerrë në gjyq dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Gjatë kohës që kam qenë në hetuesi, për muaj e muaj me rradhë, më janë bërë tortura nga më ç’njerëzoret, të cilat nuk kanë ndodhur as në kohën e inkuizicionit. Këto tortura më bëheshin në pyjet e Qafë-Krrabës dhe aty më kanë djegur mishrat e trupit me hekur të skuqur në zjarr. Aty më janë hequr të dhjetë thojtë e këmbëve, duke m’i shkulur një nga një me dhimbje të mëdha deri sa më binte të fikët. Aty më rrihnin deri sa urinoja gjak dhe këmbët e trupi më ishin nxirë, aty mbahesha nën tortura gjithë ditën dhe vetëm në mbrëmje më sillnin në birucë gjysëm të vdekur. Përveç dhimbjeve, më duhej të përballoja edhe provokimet e njëmbasnjëshme të atyre që fuste në birucën time Nevzat Haznedari, të cilët për mua mbeten njerzit më të poshtër që kam njohur ndonjëherë. Në këto tortura merrte pjesë vetë Nevzat Haznedari (drejtor i Hetuesisë në atë kohë), ky njeri mizor e xhelat, në ndërgjegjen e të cilit rëndojnë aq krime e persekutime sa është zor t’i përshkruash të gjitha. Ishte ky Nevzat që në kohën e Koci Xoxes në vitin 1948, u kritikua ashpër për dhunën arbitrare. Dhe ja tani në vitin 1960, po ky Nevzat në një post më të rëndësishëm, përdor po ato metoda dhune, bile akoma më të rënda, dhe në vënd që t’i ndalet dora, për “merita” gradohet gjeneral?! Në këto tortura anti-njerëzore, marrin pjesë gjithashtu oficerët Asaf Kondi, Irfan Hoxha etj. Ndërsa oficeri Hilmi Dume, më bënte injeksione për të mos iu mbetur në dorë. Në prezencën time, Kadri Hazbiu jepte urdhëra për tortura. Një ditë më tha: ‘Kam urdhër për të vënë nën torturë’. Kush mund të urdhëronte Kadri Hazbiun përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, dy diktatorëve më të mëdhenj të shtetit tonë?! Si pjesmarrës i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe për aktivitet revolucionar, jam burgosur dhe internuar edhe në kampin famëkeq të Prishtinës, por më duhet të pohoj se tortura të tilla nuk më janë bërë as në okupacionin fashist”.
Budo: Tentativa ime për vetëvrasje
“Tortura të tilla ishin të padurueshme jo më për njerzit por as dhe për kafshët, prandaj një ditë vendosa që t’i jepja fund jetës sime duke përplasur kokën me forcë në murin e birucës. U hapën dy plagë por kafka nuk u ça. Për qepjen e plagëve u suall doktor Llambi Ziçishti. Unë e kisha të qartë se tentativa për vetëvrasje ishte e dënueshme dhe një plus negativ për mua, por në ato kondita që ndodhesha, preferova më mirë vdekjen. Ajo ishte shpëtim. Nuk mjaftuan të gjitha këto e shumë veprime të tjera arbitrare fizike e psiqike, por Kadri Hazbiu me Nevzat Haznedarin arritën deri aty sa që kundra meje të nxirrin dëshmitarë persona që ishin dënuar me vdekje, të cilët për të shpëtuar lëkurën e tyre dhe të nxitur nga Haznedari bënin lloj lloj shpifjesh e deponimesh jo të vërteta. Por ata mjeranë nuk i pashë më në gjyqin tim dhe siç mora vesh nga prokurori, ata ishin ekzekutuar. Duhet thënë gjithashtu se Kadri Hazbiu e të tjerë ishin mjaft të kompromentuar në çështjen time, ata mbanin përgjegjësi ligjore për të gjitha ato që kishin bërë kundra meje, prandaj kërkonin me çdo kusht që me anë të gjyqit të më dënonin me vdekje dhe në këtë mënyrë të mbulonin njëherë e mirë veprimet e tyre antiligjore e t’i vinin kapak çështjes”.
Procesi hetimor
“Duhet të pohoj se me procesin tim nga ana e Prokurorisë janë marrë tre veta: Aranit Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe dy zëvëndësat e tij, Faik Minarolli dhe Vangjel Kocani. Dihet se me ligj organet e Prokurorisë ngarkohen me kontrollin e procesit të hetimit dhe me zbatimin e ligjshëmrisë në hetime. Por në rastin tim, ato bënë të kundërtën dhe zbatonin ato që u thoshte Hetuesia, në dëm të të pandehurit dhe të vërtetës. Këtë pohim po e ilustroj me disa shembuj që kanë të bëjnë vetëm me mua dhe jo me të tjerët. Ishte vetë Aranit Çela që me cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm lëshonte autorizim pas autorizimi për zgjatjen e procesit tim për dy vjet e gjysëm, pa u nxjerrë në gjyq. Këtë gjë nuk e lejonte Kodi Penal. Ai ishte në dijeni se ndaj meje përdoreshin tortura fizike nga më ç’njerzoret dhe dhuna në hetime, të cilat ndaloheshin me ligj, por Araniti nuk merrte asnjë masë për ndalimin e tyre. E vërteta është se atëhere dhe më vonë, ndaj torturuesëve të mi nuk u mor asnjë masë dënimi. Në letrën time të 7 marsit 1963 dërguar personalisht Aranit Çelës, unë kam folur edhe për torturat që më ishin bërë, por ndonjë përgjigje nuk mora kurrë. Është fakt se zëvëndësi i tij, Faik Minarolli, hipte në makinë së bashku me Nevzat Haznedarin, kur më çonin mua për të më torturuar në pyjet e Qafë-Krrabës. Ja pra kjo ishte Prokuroria që kontrollonte procesin hetimor”.
Farsa e gjyqit tim
“Gjykimi i çështjes sime ka një histori më vete. Një ditë përpara se të më nxirrin në gjyq, më thërriti Nevzat Haznedari e më tha: ‘Letrën që i ke bërë familjes, ne nuk do t’ja japim. Ti kërko mëshirë dhe thuaj se; jam i Luftës dhe i varfër, etj.”. Të veproja siç kërkonte Nevzati, do të thosh të pranoja faje që nuk i kisha bërë kurrë. Mua më gjykoi Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë. Trupi Gjykues përbëhej nga koloneli Sotir Spiro (kryetar) dhe nënkolonel Rasim Bazo e Sami Kolaneci antarë. Përfaqësues i akuzës ishte Vangjel Kocani. Sekretare ishte Vangjeli Terova, ndërsa avokat Nexhmedin Shehu. Edhe para gjyqit unë nuk e pranova akuzën as tërsisht dhe as pjesërisht dhe deklarova se kurrë nuk e kisha tradhëtuar atdheun. Kërkova që të bëheshin verifikime pasi akuzat nuk ishin të vërteta. Gjithashtu aty fola dhe për akuzat çnjerzore që më ishin bërë. Megjithë refuzimet e prokurorit, trupi gjykues pranoi kërkesat e mija. Kështu Kolegji Ushtarak, mbas një raporti të gjatë i cili filloi më 21 shtator 1961, u përsërit më 2 tetor 1961 dhe mbasi iu ktheu organeve të Sigurimit dosjen time hetimore si të parregullt, duke caktuar një sërë detyrash për verifikime, thirrje dëshmitarësh, vënie në dosje dokumetesh që mungonin etj., më datën 24 nëntor 1961, mori vendimin përfundimtar, duke më deklaruar mua të pafajshëm për mungesë provash dhe urdhëroi lirimin tim të menjëhershëm nga burgu. Pafajësinë time e kërkoi dy herë dhe avokati im, të cilin e pashë për herë të parë aty në sallën e gjyqit, ku i dhashë edhe akt-akuzën pasi atij nuk i ishte dhënë as ajo, pa le të takohej me mua në qeli gjatë hetimeve. Megjithatë ai më mbrojti mire, duke u mbështetur vetëm në seancat gjyqësore, në deponimet e mia, të dëshmitarëve e të dokumentave që u suallën në gjyq sipas kërkesës sime”.
Budo: “Gjykata më liroi në sallë, kurse Sigurimi më internoi në Zvërnec”
“Po çfarë ndodhi me Kristo Budon pasi Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit? Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, midis të tjerash, Budo shkruan: “Ajo që ndodhi në sallën e gjyqit ishte me të vërtetë një skandal i padëgjuar dhe pa precedentë në analet e historisë gjyqësore. Menjëhere sapo u largua trupi gjykues, në prezencën e shumë njerëzve aty në sallë hyri Nevzat Haznedari i shoqëruar me një grup oficerësh, i cili urdhëroi kapterrin që të më çonte përsëri në burg. Kapterri iu përgjigj: ‘Si ta çoj në burg zoti gjeneral, ai mori pafajësinë’?!. Nevzati i tha: ‘Të urdhëroj unë’. Kështu pas urdhërit të Haznedarit, mua më nisën nëpër koridor për të më çuar në qeli. Aty u ndeshëm me kryetarin e gjyqit, Sotir Spiron i cili i tha kapterrit: ‘Ku po e çon Kristo Budon, pse e ke lidhur, ai ka marrë pafajësinë”?!. Kapterri i shkretë duke ulur kokën iu përgjegj: ‘Kështu më urdhëroi gjeneral Nevzati’. Po a mund ta bënte një veprim të tillë me inisiativën e tij Nevzat Haznedari?! Atë dikush e kishte urdhëruar të vepronte ashtu dhe unë mund të them me bindje se deri aty nuk mund të arrinte as vetë Kadri Hazbiu. Me anë të atij veprimi organet e Sigurimit të Shtetit dhunuan jo vetëm mua por edhe vetë Gjykatën e Lartë, duke u lënë të kuptonin disa kuadrove kryesor të Drejtësisë që asistuan në fillimin e procesit tim si: Bilbil Klosi, Ministër i Drejtësisë, Nedret Hoxha, zv / ministër, Irakli Bozo, Frederik Nosi, Llazi Stratobërdha etj., se Sigurimi Shtetit kishte “carta bianka” nga vetë kapua i tyre, Enver Hoxha, dhe askush s’guxonte ta ngrinte zërin ose t’i kundërshtonte këto organe. Kështu që, në vënd që të shkoja pranë familjes, më mbajtën edhe një ditë në burg dhe të nesërmen më internuan për 5 vite në Ishullin e Zvërnecit. Mbas pesë vitesh më arrestuan përsëri dhe më dënuan me 10 vite heqje lirie të cilat i vuajta të gjitha në burgun e Ballshit”/Memorie.al