Irani tashmë ka rifilluar një pjesë të prodhimit të dronëve gjatë armëpushimit gjashtëjavor që filloi në fillim të prillit, duke dhënë një shenjë se po rindërton me shpejtësi disa kapacitete ushtarake që ishin dëmtuar nga sulmet SHBA-Izrael, sipas dy burimeve të njohura me vlerësimet e inteligjencës amerikane.
Katër burime i kanë thënë CNN-it se inteligjenca amerikane tregon që ushtria iraniane po rikuperohet shumë më shpejt sesa ishte vlerësuar fillimisht.
Rindërtimi i kapaciteteve ushtarake, përfshirë zëvendësimin e bazave të raketave, lëshuesve dhe kapaciteteve prodhuese për sistemet kryesore të armëve të shkatërruara gjatë konfliktit aktual, do të thotë se Irani mbetet një kërcënim i rëndësishëm për aleatët rajonalë nëse presidenti, Donald Trump rifillon fushatën e bombardimeve, sipas katër burimeve të njohura me inteligjencën.
Kjo gjithashtu ngre pikëpyetje mbi pretendimet për shkallën në të cilën sulmet SHBA-Izrael kanë dëmtuar ushtrinë iraniane në planin afatgjatë.
Ndërsa koha për rifillimin e prodhimit të komponentëve të ndryshëm të armëve ndryshon, disa vlerësime të inteligjencës amerikane tregojnë se Irani mund ta rikthejë plotësisht kapacitetin e sulmeve me dronë brenda vetëm gjashtë muajsh, ka thënë për CNN një nga burimet, një zyrtar amerikan.
“Iranianët kanë tejkaluar të gjitha afatet që komuniteti i inteligjencës kishte parashikuar për rikuperimin”, ka thënë zyrtari amerikan.
Sulmet me dronë janë një shqetësim i veçantë për aleatët rajonalë. Nëse rifillojnë sulmet, Irani mund të kompensojë dobësimin e kapaciteteve të tij raketore që janë dëmtuar ndjeshëm, me më shumë lëshime dronësh, për të vazhduar sulmet ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit, të cilat ndodhen brenda rrezes së të dy sistemeve të armëve.
Trumpi ka kërcënuar vazhdimisht se do të rifillojë operacionet luftarake kundër Iranit nëse të dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke deklaruar publikisht të martën se kishte qenë vetëm një orë larg rifillimit të bombardimeve, çka do të thotë se këto kapacitete ushtarake mund të hyjnë sërish në lojë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë javën e kaluar për CBS se Kina po i jep Iranit “komponentë për prodhimin e raketave”, por ka refuzuar të japë më shumë detaje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, e ka mohuar akuzën gjatë një konference për shtyp, duke e quajtur atë “të pabazuar në fakte”.
Ndërkohë, Irani vazhdon të ruajë kapacitete për raketa balistike, sulme me dronë dhe mbrojtje kundërajrore, pavarësisht dëmeve serioze të shkaktuara nga sulmet SHBA-Izrael, sipas vlerësimeve të fundit të inteligjencës amerikane. Kjo do të thotë se rindërtimi i kapaciteteve prodhuese ushtarake nuk po fillon nga zeroja.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, i ka thënë CNN-it në një deklaratë se “ushtria amerikane është më e fuqishmja në botë dhe ka gjithçka që i nevojitet për të vepruar në kohën dhe vendin që zgjedh presidenti”.
“Ne kemi kryer disa operacione të suksesshme në komanda të ndryshme luftarake, duke siguruar njëkohësisht që ushtria amerikane të ketë një arsenal të thellë kapacitetesh për të mbrojtur popullin dhe interesat tona”, ka shtuar Parnell.
CNN ka raportuar në prill se inteligjenca amerikane kishte vlerësuar se rreth gjysma e lëshuesve të raketave të Iranit kishte mbijetuar pas sulmeve amerikane.


