Sylvinho nuk do të jetë më trajneri i kombëtares shqiptare. Brazilianit i përfundonte kontrata në fund të qershorit, ndërsa prej kohësh ishte në negociata për rinovimin, por palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas dështimit për të shkuar në Botërorin 2026.
Në orën 10:00 do të ketë konferencë për mediat ku do të prezantohet edhe trajneri i ri i përfaqësueses shqiptare.
Sylvinho iu bashkua kombëtares shqiptare në fillim të vitit 2023 dhe në vitin e tij të parë, arriti kualifikimin historik në Euro 2024, duke e mbyllur grupin kualifikues në vendin e parë.
Në kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria doli e dyta pas Anglisë duke lënë pas Serbinë, me një tjetër kualifikim historik në play-off-in e Kupës së Botës, aty ku u mund 2-1 nga Polonia në gjysmëfinalen e zhvilluar në Varshavë.
52-vjeçari u prezantua me kuqezinjtë më 2 janar të vitit 2023 dhe deri në këto momente ka qenë në stolin e Shqipërisë për 34 ndeshje, me një mesatare pikësh prej 1.53 për ndeshje. Si trajneri i Shqipërisë, Sylvinho regjistroi 15 fitore, 12 humbje dhe 7 barazime. Në epokën e tij Shqipëria shënoi 40 gola, duke pësuar 30-të.
Miqësoret kundër Izraelit më 3 qershor dhe kundër Luksemburgut më 6 qershor në Tiranë do të jenë të fundit për të në stolin e ekipit./abcnews.al


