104 studentë të Akademisë së Policisë janë diplomuar këtë të enjte.
Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Hita tha se një model i ri formimi ka nisur të ndërtojë të ardhmen në Policinë e Shtetit. Hita theksoi se dita e sotme për studentët e diplomuar është një moment që shënon fundin e një etape dhe nisjen e një periudhe me përgjegjësi edhe më të madhe.
Ndër të tjera, ai këshilloi studentët që do të jenë efektivë të rinj të Policisë që të jenë të ashpër me krimin, por të përulur para qytetarëve.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit
Ceremonia e sotme nuk është thjesht një ceremoni diplomimi, por është një ditë me simbolikë të veçantë për Policinë e Shtetit dhe për ju të sapodiplomuar.
Një brez përmbyll rrugëtimin e tij akademik brenda sistemit policor, ndërsa një model i ri formimi ka nisur tashmë të ndërtojë të ardhmen e Policisë shqiptare, pasi prej dy vitesh auditorët e Akademisë së Sigurisë janë mbushur me të rinj dhe të reja që hyjnë drejtpërdrejt në rrugën e formimit policor.
Sot po diplomojmë një brez që mbart mbi supe përvojën e terrenit dhe dritën e dijes akademike. Ju jeni brezi i fundit që u rrit profesionalisht brenda familjes së madhe të Policisë së Shtetit, brezi me të cilin mbyllet një cikël dhe hapet një horizont i ri.
Ndaj, kjo ju jep një peshë të veçantë, sepse ju jeni ura mes dy epokave të Policisë së Shtetit, mes eksperiencës së fituar në punë dhe modelit të ri të edukimit policor që po ndërtojmë.
Ky është një moment që shënon fundin e një etape dhe nisjen e një përgjegjësie edhe më të madhe, pasi qytetarët kërkojnë oficerë policie më profesionalë, më të përgjegjshëm ndaj detyrës dhe ndaj tyre.
Kërkojnë punonjës policie që dinë të dëgjojnë, të ndjekin dhe të trajtojnë me qetësi e maturi, brenda kornizave të ligjit, çdo shqetësim që qytetarët adresojnë te Policia e Shtetit.
Kjo është sfida jonë më e madhe: përmirësimi i vazhdueshëm i imazhit dhe rritja e besueshmërisë së Policisë së Shtetit te qytetarët.
Sepse imazhi i Policisë nuk ndërtohet nga godinat, as nga teknologjia dhe as nga deklaratat publike. Ai ndërtohet nga sjellja e çdo punonjësi policie, nga integriteti që tregoni edhe kur askush nuk ju sheh.
Nga sot, ju do të shërbeni si punonjës policie të rolit të parë drejtues, në rendin publik, policimin në komunitet, hetimin e krimit, sigurinë rrugore apo policinë kufitare.
Do të ketë netë të gjata, momente të vështira dhe vendime që kërkojnë karakter. Por mos harroni kurrë: polici nuk matet nga forca që përdor, por nga vetëpërmbajtja që tregon. Autoriteti nuk buron nga arroganca, por nga mirësjellja, përgjegjshmëria, profesionalizmi dhe besimi që frymëzon.
Autoriteti lartësohet nga guximi për të marrë vendimin e drejtë edhe kur është i vështirë, nga profesionalizmi me të cilin trajtoni çdo qytetar pa dallim dhe nga kuraja për të thënë “Jo” aty ku cenohet ligji dhe “Po” sakrificës kur e kërkon nevoja.
Sot, ndërsa merrni këtë certifikim, ju nuk po merrni vetëm një diplomë policore. Diplomat tuaja tashmë janë të certifikuara nga Ministria e Arsimit dhe ky është një hap cilësor i bërë nga Akademia e Sigurisë dhe Ministria e Arsimit.
Ndaj, gjej rastin të falënderoj stafin akademik dhe Ministrinë e Arsimit për këtë kontribut të rëndësishëm në funksion të rritjes së standardeve të arsimimit policor. Ky është një nga mesazhet e forta të transformimit të Policisë së Shtetit.
Teksa stafetën e arsimimit Bachelor ia kemi dorëzuar maturantëve, ju mbeteni dëshmia më e qartë se Policia e Shtetit është në një proces të pandalshëm transformimi në arsimim, trajnim dhe shërbim ndaj qytetarëve dhe ligjit. Të dashur kolegë!
Integriteti duhet të jetë busulla juaj morale dhe ligjore. Nëse humbisni busullën, do të humbisni rrugën. Por, nëse e mbani fort, do të jeni udhërrëfyes për brezat e rinj që do të ulen në këto banka. Bëjeni këtë diplomë dhe këtë uniformë të flasin me gjuhën e nderit.
Uroj që sot të dilni nga kjo Akademi jo thjesht si njerëz që mbajnë një gradë apo një funksion, por si njerëz që mbajnë një mision. Të jeni të ashpër me krimin, por të përulur me qytetarin.
Suksese në detyrat që do të kryeni në qarqet ku jeni emëruar.
Faleminderit!


