Autoritetet franceze njoftuan heqjen e pjesshme të izolimit shëndetësor për 1,700 pasagjerë në një anije turistike që mbërriti në Bordo, në jugperëndim të Francës.
Testet konfirmuan se virusi që po përhapet në bord nuk ka të bëjë fare me hantavirusin, por më tepër me një “episod të thjeshtë gastroenteriti”.
Sëmundja është me “origjinë virale”, sqaruan autoritetet shëndetësore dhe nuk ka rezultuar në ndonjë rast serioz. Si pasojë e kësaj, “ndalimi i zbarkimit” i vendosur për pasagjerët dhe ekuipazhin e anijes, po “hiqet” për individët “asimptomatikë”.
Ata që janë të sëmurë duhet të qëndrojnë “në izolim” derisa simptomat t’iu zhduken.
Një person vdiq nga shpërthimi i gastroenteritit në anije
Mbi 1,700 vetë: 1,233 pasagjerë dhe 514 anëtarë të ekuipazhit, kryesisht britanikë e irlandezë janë në portin francez të Bordosë, në bordin e Ambition, ku një shpërthim i dyshuar i gastroenteritit i mori jetën një pasagjeri 92-vjeçar të anijes turistike gjatë një ndalese në Brest.
Rreth pesëdhjetë persona kanë shfaqur simptoma në përputhje me norovirusin (të vjella, diarre, dhimbje barku e të përziera) dhe autoritetet franceze vendosën t’i izolojnë pasagjerët, si masë paraprake. Nuk përjashtohet mundësia e helmimit nga ushqimi.
Udhëtimi i Ambition
Anija Ambition, që tani është ankoruar në portet e qytetit të Girondës pa ndonjë masë të veçantë sigurie, u nis nga Ishujt Shetland më 6 maj për një udhëtim 14-netësh. U ndal në Belfast, Liverpool dhe Brest përpara se të shkonte në Bordeaux, ku ishte planifikuar të lundronte për në Spanjë, duke u kthyer në Liverpool, më 22 maj.
Kompania raportoi se të dhënat e saj treguan një rritje të rasteve pasi pasagjerët u nisën në Liverpool më 9 maj. Të gjitha ekskursionet bregdetare në Bordo u anuluan dhe pasagjerëve të prekur iu ofrua rimbursim i plotë.


