Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për ish kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega.
Për Islamaj, prokurori Bledar Maksuti kërkoi 3 vite burg me kushtin që të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Ndërsa për Gegën, u kërkua dënim me 1 vit burg me kushtin që të konvertohet në 2 vite shërbim prove.
Islamaj dyshohet se ka kryer veprën penale “korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gega për korrupsion aktiv. Bëhet fjalë për një tender për ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë të Tropojës, ku ish kryebashkiakja e komanduar kishte interesa personale.
Zyra Islamaj sipas SPAK ka abuzuar me detyrën, duke favorizuar familjarët e saj për ndërtimin e një ure. Aktualisht në GJKKO po bëhet mbrojtja e dy të pandehurve, ndërsa trupa gjykuese më pas do shpallë vendimin. Vetë Islamaj ishte e pranishme në sallën e gjyqit, kërkoi pafajësi me argumentin se çështja ndaj saj është politike.


