Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

Ish-balerina që u bë police në Shqipëri, gjen suksesin në Dubai si instruktore fitnessi

schedule12:44 - 1 Maj, 2026

schedule 12:44 - 1 Maj, 2026

Në lidhje direkte me “ABC e Mëngjesit”, vjen historia frymëzuese e Ismerilda Gongo, trajneres së fitnesit nga Korça që la pas një jetë të vështirë në Shqipëri për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në Lindjen e Mesme.

Rruga e saj nuk ka qenë aspak e lehtë. Në Shqipëri, Ismerilda ka qenë balerinë dhe njëkohësisht pjesë e radhëve të policisë, duke punuar 2-3 punë njëherësh, por pa arritur të shihte një të ardhme të qartë. “Po e kaloja gjithë kohën në punë dhe s’po arrija askund”, rrëfen ajo, duke pranuar se ndjente mungesë shprese për të ardhmen.

Vendimi për t’u larguar ishte një kthesë e fortë. Fillimisht drejt Oman, një vend që e gjeti të papërgatitur. “Kur mbërrita, mendova: ku kam ardhur? Ishte shkretëtirë, nuk shihja njerëz në rrugë, gjithçka më dukej e çuditshme”, tregon ajo. Rregullat strikte dhe kultura ndryshe e vendosën përballë një realiteti krejt të ri, por nuk e ndalën.



Pikërisht aty, mes sfidave dhe trajnimeve, ajo nisi të rindërtojë veten. E vetëdijshme se hapi i madh ishte Dubai, Ismerilda e përdori Omanin si trampolinë për të marrë certifikimet e nevojshme dhe për të fituar eksperiencën që i mungonte.

Pas dy vitesh përpjekje, ajo arriti në Dubai, një botë krejt tjetër. Një qytet me ritëm të shpejtë, fokus te biznesi dhe mundësi të mëdha. Aty, Ismerilda jo vetëm që u integrua, por arriti të hapë edhe palestrën e saj, duke kthyer ëndrrën në realitet.

Sot, prej 6 vitesh në Lindjen e Mesme, ajo është një histori suksesi që flet për guximin dhe këmbënguljen. Megjithatë, rrënjët nuk i harron: “Nga Shqipëria më mungojnë klima dhe ushqimi”, thotë ajo, ndërsa shton se tashmë ka gjetur edhe një komunitet shqiptarësh që e bën të ndihet më pranë shtëpisë.

Nëse një ditë do të kthehej në Shqipëri, ajo e ka të qartë synimin: të ndërtojë biznesin e saj, këtë herë me përvojën dhe pjekurinë që ka fituar jashtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!