Një gjykatë malazeze liroi nga paraburgimi tre ligjvënës pro-serbë të opozitës, të cilët u burgosën pas trazirave në parlament për votimin e një ligji të kontestuar të pasurisë së kishës. Duke u përpjekur për të parandaluar miratimin e projekt-ligjit, të tre nxorrën atë që duket të jetë një bombolë gazi lotsjellës ose fishekzjarr dhe u përpoqën të shkatërrojnë mikrofonat në sallën e Parlamentit të premten. Ligji megjithatë u miratua. Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi thotë se ligji i ri e lejon shtetin të marrë pronat e saj.
Qeveria e ka mohuar këtë. Ligji i ri kërkon që kisha të provojë të drejtën e saj mbi ato prona që nga viti 1918 kur kisha malazeze u bë pjesë e kishës serbe me formimin e mbretërisë serbo-kroato-sllovene dhe humbi pavarësinë e saj. Kundërshtarët e ligjit organizuan protesta të enjten dhe bllokuan rrugët, duke nxitur tensione në Mal të Zi.
Policia arrestoi 22 persona, përfshirë 17 ligjvënës, të dyshuar se morën pjesë në trazirat parlamentare. Mali i Zi u nda nga Serbia në 2006 por popullsia e saj prej 620,000 njerëzish mbetet e ndarë nëse vendi duhet të ndjekë lidhje më të ngushta me fqinjin e saj. Rreth 30% e popullsisë së Malit të Zi identifikohen si serbë dhe kundërshtojnë ndarjen nga Serbia./abcnews.al

