Mos ndoshta do të ndodhë si përherë në më shumë se dy dekada.
Arsenali e ka fituar titullin fundit kampion në Angli në 2004, dhe për 21 vjet me radhë shpesh ka qenë pranë, por ka bërë “hara-kiri”.
Edhe pse skuadra e sotme e trajnerit Mikel Arteta duket shumë më e fortë dhe me më shumë përvojë, pas disa dështimeve radhazi, sërish duket se nuk po I shkëputet dot së kaluarës.
Edhe pse mbetet në krye të Premier Ligës angleze, sërish humbja në shtëpi ndaj Sauthemptonit mund të dalë fatale.
Në stadiumin “Hajbëri” përfundoi 2-1 për miqtë ndeshja e javës së 32-të të kampionatit, me miqtë që ishin dy herë në avantazh, dhe që nuk u paraqitën aspak më dobët sesa “topçinjtë”.
Krupi në 17’ dhe Aleks Skot në 74’ ishin autorët e golave për ta, ndërsa Arsenali barazoi përkohësisht në 35’ me penallti kur shënoi sulmuesi suedez, Gjëkeresh.
Statistikat ishin pothuaj njësoj në gjuajtje, madje edhe në mbajtjen e topit, kur londinezët zakonisht bëjnë diferencën.
Ndoshta ndikoi lodhja e mesjavës në Champions, me kryeqytetasit që duan të fitojnë trofetë e mëdha në ishull dhe në Europë.
Skuadra e teknikut Arteta mbeti në 70 pikë, 9 më shumë sesa Mançester Siti, por të besuarit e Pep Guardiolës kanë luajtur dy ndeshje më pak.
Sfidën e radhës, Siti do ta luajë pikërisht këtë të diel, një duel tepër I vështirë në fushën e Çelsit.


