U ble për 400 mijë €, klubi grek pranë firmës me vlonjatin

schedule08:59 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 08:59 - 28 Dhjetor, 2019

Gjashtë muaj në Belgjikë dhe sërish në Greqi. Sulmuesi vlonjat, Fiorin Durmishaj, pritet të ndryshojë skuadër. Ish-lojtari i Shqipërisë U21, i cili zgjodhi të përfaqësojë Greqinë, nuk mund të luajë ende me Olympiacos.

Gjiganti grek shpenzoi 400 mijë euro verën e kaluar, kur e mori atë nga Panionios. Gjithsesi më pas u vendos që Durmishaj të jepej në huazim te belgët e Waasland-Beveren. Një eksperiencë që nuk shkoi mirë, pasi luajti vetëm tetë ndeshje (5 titullar) në kampionat dhe nuk shënoi asnjë gol.

Një dygolësh në Kupë nuk mjaftoi që klubi belg të bindej ta mbante në ekip. Para pak ditësh zyrtarisht ai u rikthye tek Olympiacos, ndërkohë që së fundmi “Gazzetta.gr” raporton se Aris Selanik është pranë blerjes së kartonit të Durmishajt.

Sipas asaj që raporton media greke, kanë mbetur disa detaje për t’u zgjidhur dhe shumë shpejt pritet të vijë zyrtarizimi i transferimit të Durmishajt te skuadra ku një sezon më parë u aktivizuan Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha. /abcnews.al