Një zbulim i rëndësishëm për historinë dhe gjuhën shqipe vjen nga kërkuesi i arkivave dhe autori Mark Palnikaj, i cili ka nxjerrë në dritë 74 dokumente të rralla, mes tyre edhe dokumente të shkruara nga Pal Engjëlli, ku përfshihet edhe “Formula e Pagëzimit”, dokumenti më i vjetër i njohur i shkruar në gjuhën shqipe.
Dokumenti është shkruar rreth 600 vite më parë dhe përbën një vepër të rëndësishme historike dhe fetare. Vepra është shkruar në latinisht, por brenda faqeve të saj gjenden edhe pjesë të shkruara në gjuhën shqipe, çka e bën atë një dëshmi shumë të rëndësishme për historinë e gjuhës sonë.
Vepra përmban 16 kapituj që përfshijnë statute, rregulla dhe kushte kishtare të hartuara nga Pal Engjëlli për organizimin dhe disiplinën fetare në Arkidioqezën e Durrësit, në kohën kur ai ishte arqipeshkëv i Durrësit.
Dokumenti përbëhet nga 37 fletë pergamene të shkruara në të dyja anët, pra në total 74 faqe të shkruara me dorë. Ky kodik ruhet sot në Biblioteca Medicea Laurenziana në Firence, një nga bibliotekat më të rëndësishme historike në Europë.
Në këtë kodik janë riprodhuar me shkrim dore edhe 13 dokumente të tjera historike të bashkëlidhura, si krisobula perandorake, bula papale, dekrete venedikase, akte kancelarish dhe qarkore kishtare, që tregojnë rëndësinë e madhe historike të këtij dokumenti.
Një tjetër fakt interesant lidhet me marrëdhënien mes Pal Engjëllit dhe heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sipas dokumentit, ata kanë qenë kushërinj, pasi nënat e tyre ishin motra. Në dokument shkruhet se Pal Engjëlli ishte djali i motrës së nënës së Skënderbeut.
Pal Engjëlli ishte gjithashtu pjesë e qëndresës së udhëhequr nga Skënderbeu dhe luajti rol të rëndësishëm edhe në organizimin e kishës së Shën Trinisë në Lis të Matit, dioqezë që njihej në atë kohë me emrin Eumathia.
Ky zbulim konsiderohet një kontribut i rëndësishëm për historinë shqiptare, kishën dhe gjuhën shqipe, duke sjellë në dritë dokumente që hedhin dritë mbi organizimin fetar, historinë dhe marrëdhëniet e figurave të mëdha shqiptare në Mesjetë.


