Humbja ndaj Polonisë që prishi ëndrrat me Botëror ishte një godije e rëndë, që nuk u zbut as pas pesë ditësh nga kombëtarja e Shqipërisë. Trajneri Sylvinho e përdori këtë si alibi pas zhgënjimit në miqësoren kundër Ukrainës. Sipas teknikut kuqezi, futbollistët e tij ende nuk e kanë përtypur zhgënjimin në play off.
“Duhet të jem i sinqertë, ishte e vështirë që të reagonim pas humbjes ndaj Polonisë. Imagjinoni që kishim mundësinë e vetme në jetë, si shtet e federatë që të shkonim në Botëror, ishte hera e parë për ne. Ishte e vështirë të punonim dhe të reagonim. Shpenzuam shumë energji që të vinim këtu dhe u munduam të bënim mirë në mendjen tonë. Nuk rikuperuam mire”, tha ai.
Trajneri i Kombëtares nuk u pyet, por as nuk foli vetë për të ardhmen e tij në pankinën kuqezi.
“Nëse fiton ndeshjen je i lumtur, nëse jo, padyshimqë nuk je. Ishte e vështirë, që të rikuperonim lojtarët nga ana mendore. E provuam të gjithë, edhe federata. Nuk kam çfarë të them, jam i mërzitur”, u shpreh ai.
Për herë të parë në aventurën e tij shqiptare, Sylvinho ka shënuar tre humbje radhazi, që nga ndeshja e fundit e grupit kundër Anglisë. Një fakt që nuk e ndihmon aspak situatën e trajnerit, të cilit i skadon kontrata në fund të muajit korrik. Kombëtarja kuqezi do të kthehet në fushë në fillim të qershorit me dy miqësore, por për t;u parë mbetet nëse Sylvinho do të jetë në pankinë.


