Pas debatit të madh që solli reagime të forta diplomatike, kryeministri I Izraelit Benjamin Netanyahu tha se Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbatista Pizaballa, tani do të ketë qasje të plotë dhe të menjëhershme në Kishën e Varrit të Shenjtë.
Të dielën policia e pengoi kardinalin të kremtonte Meshën e së Dielës së Palmave në kishë.
Benjamin Netanyahu tha se Pizzaballas, i cili është kreu i Kishës Katolike në Tokën e Shenjtë, i ishte kërkuar të mos hynte në kishë për shkak të shqetësimit për sigurinë e tij. Ai tha se Irani kishte synuar vazhdimisht vendet e shenjta të Jerusalemit me raketa balistike.
Kardinali Pizzaballa dhe Reverendi Francesco Ielpo u ndaluan jashtë kishës që besohet të jetë vendi i kryqëzimit të Jezu Krishtit, pasi po planifikonin të mbanin një Meshë për të shënuar fillimin e Javës së Shenjtë.
Zyra e Kardinalit tha se ishte “hera e parë në shekuj” që një Patriark Latin ishte larguar nga vendi i shenjtë të Dielën e Palmave, e cila shënon kthimin e Krishtit në Jerusalem.
Vendimi për të bllokuar kardinalin të hynte në vendin më të shenjtë të Krishterimit u kritikua ashpër nga disa vende perëndimore.
Ambasadori amerikan në Izrael tha vendimi ishte “i vështirë për t’u kuptuar ose justifikuar”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti rastin një fyerje jo vetëm ndaj besimtarëve, por ndaj çdo komuniteti që respekton liritë fetare.
Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu e dënoi këtë veprim dhe tha se erdhi në kontekstin e rritjes shqetësuese të shkeljeve të statusit të Vendeve të Shenjta në Jerusalem.
Pas reagimeve të ashpraa, Netanyahu tha se të gjithë besimtarëve u ishte kërkuar të mos vizitonin vende në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, i cili kishte qenë subjekt i sulmeve nga Irani, dhe se policia kishte vepruar nga shqetësime të veçanta”për sigurinë në këtë rast.
Procesioni tradicional i së Dielës së Palmave në qytet ishte anuluar tashmë për shkak të kufizimeve në tubimet publike.
Ndërkohë në Vatikan, Papa Leoni XIV, dha ndoshta mesazhin më të fortë që nga fillimi i detyrës së tij.
Teksa u bëri homazhe të krishterëve në Lindjen e Mesme, Ati I Shenjtë tha se Zoti, nuk i pranon lutjet e liderëve që fillojnë luftëra, pasi ata I kanë duart të lara me gjak.


