Për t’i mbrojtur aleatët nga Irani, fuqitë evropiane kanë bërë një demonstrim të rrallë force, duke dislokuar anije luftarake, avionë dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje në rajon. Ky angazhim synon të tregojë vendosmërinë dhe rolin e Evropës në sigurinë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë ka nxjerrë në pah kufizimet reale të kapaciteteve të saj ushtarake.
Për më tepër, këto përpjekje kanë devijuar burime të kufizuara nga zona të tjera të tensionit, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë e kontinentit për t’u përballur me kriza të shumta njëkohësisht.
Pavarësisht se kanë refuzuar të bashkohen në sulmet kundër Iranit, liderët evropianë i janë përgjigjur përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme duke dërguar anije luftarake, avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur bazat dhe aleatët në rajon.
Megjithatë, ky demonstrim force, një nga mobilizimet më të mëdha të kontinentit në vitet e fundit, ka nxjerrë në pah edhe kufizimet e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës, sipas zyrtarëve dhe analistëve.
Këto dislokime kanë bërë që forcat evropiane të përballen me mungesa personeli në fronte të tjera, përfshirë Detin Baltik, ku ato po përpiqeshin të tregonin forcë përballë Rusisë.
Dërgimi i pajisjeve dhe municioneve drejt aleatëve arabë në Gjirin Persik ka dobësuar gjithashtu aftësinë e Evropës për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen kundër Rusisë.
“Ne jemi shumë të brishtë nga pikëpamja ushtarake”, tha në një intervistë senatori italian Carlo Calenda. “Mund të kemi probleme edhe për të mbrojtur vetë vendin tonë”.
Franca ka dërguar anije luftarake, përfshirë edhe të vetmin aeroplanmbajtës me energji bërthamore, drejt Mesdheut dhe Gjirit, një angazhim që përbën më shumë se gjysmën e flotës së saj luftarake. Ky demonstrim force e detyroi Parisin të reduktojë operacionet në zona të tjera.
Në Britani, vonesa administrative shtyu me një javë nisjen e një “destrojeri” (një anije lufte e shpejtë, e pajisur me një rol mbrojtës kundër nëndetëseve dhe avionëve) drejt Qipros, duke dëmtuar përpjekjet për të treguar forcë.
Vendimi i Italisë për të dërguar pajisje mbrojtëse te aleatët arabë të sulmuar nga Irani ka lënë rezervat e saj në nivele të rrezikshme. Ndërkohë, përdorimi i madh i armatimeve nga Shtetet e Bashkuara në Iran ka reduktuar ndjeshëm rezervat, te të cilat Evropa shpresonte të mbështetej në të ardhmen.
“Nëse SHBA-ja po përdor kaq shumë municione kundër Iranit, atëherë ato nuk do të jenë të disponueshme për një konflikt të mundshëm me Kinën, për shembull pas disa vitesh, dhe as për Evropën në rast përballjeje me Rusinë”, tha Ed Arnold, analist i sigurisë evropiane.
Sipas tij, boshllëqet në kapacitetet ushtarake të Evropës “janë të njohura prej kohësh, por nuk është bërë mjaftueshëm për t’i adresuar ato”. Ai shtoi se disa vende tani po përballen drejtpërdrejt me këto dobësi.
Britania
Pasi një dron iranian goditi një bazë ajrore britanike në Qipro javën e kaluar, kryeministri Keir Starmer premtoi dërgimin e një anije “destrojeri” në Mesdheun lindor për të qetësuar aleatët. Ai gjithashtu dërgoi katër avionë luftarakë me raketa, katër helikopterë dhe sisteme kundër dronëve për të mbrojtur bazat në shtetet e Gjirit nga kundërsulmet iraniane, si dhe lejoi bombarduesit amerikanë të kryenin sulme nga bazat britanike.
Megjithatë, këto lëvizje nxorën në pah edhe dobësinë e burimeve ushtarake britanike. “Destrojeri” u nis më shumë se një javë pas sulmit, duke ngritur pikëpyetje mbi gatishmërinë ushtarake të vendit. Një analizë e fundit theksoi se kontributi britanik në mbrojtjen ajrore të rajonit ishte minimal krahasuar me përpjekjet më të gjera të SHBA-së dhe Izraelit.
Forcat e armatosura britanike janë reduktuar aq shumë sa që “realitetet praktike do të kufizojnë atë që Mbretëria e Bashkuar mund të bëjë”, sipas analizës.
Franca
Franca ka dërguar dhjetëra anije, përfshirë aeroplanmbajtësin e saj të vetëm me energji bërthamore, në Mesdhe dhe në Gjirin Persik. Ky angazhim përbën rreth 60% të flotës së saj luftarake. Qëllimi është mbrojtja e qytetarëve francezë, mbështetja e aleatëve si Qiproja dhe garantimi i sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore.
Disa analistë theksuan se ky angazhim e detyroi Francën të tërhiqej nga një mision në Detin Baltik për të frenuar Rusinë.
Të tjerë argumentuan se Franca i tregoi aleatëve të saj në botën arabe, në Evropë dhe në SHBA se është një partner i besueshëm dhe se shpejtësia e reagimit të saj e vendosi në avantazh ndaj Britanisë.
“Asnjë flotë evropiane nuk ka dislokuar kaq shumë mjete që nga Lufta e Gjirit”, u shpreh një ekspert francez. Sipas tij, ky veprim i dërgon një mesazh Rusisë dhe SHBA-së se Evropa “nuk është e dobët”.
“Ne kemi kapacitete”, tha ai, “jemi në gjendje të ndërhyjmë shpejt dhe të mbrojmë veten”.
Një tjetër ekspert francez theksoi se përfitimet e këtij angazhimi në Gjirin Persik janë më të mëdha sesa kostot e përkohshme të mungesës në zona të tjera.
“Sigurisht, ata nuk janë në Atlantikun e Veriut duke patrulluar apo ndjekur nëndetëset ruse”, tha ai, “por kjo nuk do të thotë se po përballemi me një sulm të menjëhershëm nga Rusia”.
Italia
Italia ka dislokuar një fregatë të armatosur me raketa për të mbrojtur Qipron, duke iu bashkuar flotave të tjera evropiane nga Britania, Franca, Spanja dhe Holanda. Paralelisht, ajo ka rënë dakord të dërgojë raketa kundërajrore të tipit Stinger, artileri kundër dronëve dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar aleatët në Gjirin Persik.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë fundjavës së kaluar zhvilloi një takim me më shumë se 100 përfaqësues të industrisë ushtarake dhe u kërkoi atyre të “shfrytëzojnë çdo burim të mundshëm” për të mbështetur vendet e Gjirit. Këtë e bëri të ditur Roberto Cingolani, drejtori ekzekutiv i kompanisë së mbrojtjes Leonardo, i cili ishte i pranishëm në takim. “Mesazhi ishte i qartë: ka një urgjencë ekstreme, sepse Evropa po përpiqet të mbështesë vendet e Gjirit”, u shpreh ai më vonë para investitorëve.
Megjithatë, ndërsa Italia përpiqet të dëshmojë vlerën e saj si aleate për partnerët arabë, ajo rrezikon të lërë Evropën më të ekspozuar ndaj kërcënimeve të tjera, përfshirë Rusinë. Njëkohësisht, ky angazhim ka shtuar presionin mbi industrinë e armatimeve, e cila edhe më parë kishte vështirësi për të përballuar kërkesën në rritje.
Sipas Carlo Calendas, për të ndihmuar vendet e Gjirit, Italia po transferon një nga tre sistemet e saj operative të mbrojtjes ajrore SAMP/T nga rajoni i Baltikut drejt Lindjes së Mesme – një zonë ku liderët evropianë kanë frikë nga një kërcënim i mundshëm rus.
Calenda, një politikan i opozitës së majtë që është informuar mbi këto dislokime, tha se aktualisht në Itali ka mbetur vetëm një bateri SAMP/T, për të cilën prodhohen rreth 200 raketa interceptuese në vit.
“Kapacitetet tona tani janë shumë, shumë të kufizuara”, theksoi ai, duke ngritur shqetësime serioze për gatishmërinë mbrojtëse të vendit.
Nga ana tjetër, Cingolani pranoi se kompanitë e mbrojtjes po përpiqen me çdo kusht të mbajnë ritmin.
“Të them të drejtën, numri i konflikteve po rritet edhe më shpejt sesa programet tona për rritjen e kapaciteteve”, u shpreh ai. “Por shpresojmë që kjo situatë të mos zgjasë përgjithmonë”.
Ukraina
Ukraina, e përfshirë në një luftë të gjatë për t’u mbrojtur nga Rusia, ka dërguar një ekip ekspertësh të dronëve dhe një të dërguar të lartë, Rustem Umerov, në vendet e Gjirit, sipas presidentit Volodymyr Zelensky. Këta zyrtarë do të ofrojnë këshilla praktike për mënyrat e kundërveprimit ndaj dronëve iranianë, duke shfrytëzuar përvojën e fituar gjatë viteve të luftës kundër forcave ruse.
Ky veprim vjen në një kohë kur Ukraina po përpiqet të tregojë se është një aleate e dobishme dhe, në të njëjtën kohë, të ruajë mbështetjen ndërkombëtare për mbrojtjen e saj.
Ndërkohë, zyrtarët evropianë po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim se lufta me Iranin ka vënë nën presion të madh furnizimin global me raketa të cilat përdoren për të rrëzuar dronë dhe projekte të tjera ajrore.
Ekziston frika se aleatët e Evropës në Gjirin Persik po i shterojnë këto rezerva dhe se dërgimi i mëtejshëm i tyre drejt Lindjes së Mesme do të pakësojë ndjeshëm furnizimet për Ukrainën, e cila ka nevojë jetike për to për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. Vetëm gjatë javës së parë të konfliktit në Lindjen e Mesme, aleatët e SHBA-së përdorën rreth 800 raketa të tilla të sistemit Patriot, më shumë se sa ka marrë Ukraina gjatë më shumë se katër viteve luftë, sipas zyrtarëve ukrainas.
Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, deklaroi se vendi i tij nuk do të kontribuojë në rritjen e pranisë ushtarake evropiane në Lindjen e Mesme. “Ne aktualisht kemi një luftë në kufijtë tanë”, tha ai, duke nënvizuar prioritetet e qarta të sigurisë për vendin e tij.


