Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Mos i lini të vdesin fluturat” Gruaja që ndryshoi historinë e biologjisë shqiptare

schedule12:48 - 27 Shkurt, 2026

schedule 12:48 - 27 Shkurt, 2026

Në studion e ABC së mëngjesit, Prof. Dr. Anila Paparisto, entomologe dhe Zv. Rektore e Universitetit të Tiranës, rrëfeu historinë e një jete të lindur për natyrën dhe të udhëhequr nga pasioni për shkencën. Profesoresha që hyri në historinë e biologjisë shqiptare pasi ishte gruaja e parë që u bë pjesë e Departamentit të Biologjisë, sot është një nga zërat më të fortë të mbrojtjes së biodiversitetit në vend.

Me medalje ari në gjimnaz dhe një dashuri të hershme për gjenetikën, ajo zgjodhi të studiojë biologji, pa e ditur se një ditë do të bëhej pedagogia e parë grua në Departamentin e Biologjisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1994 u emërua profesoreshë, duke thyer një mur paragjykimesh në një fushë të dominuar nga burrat. “Lëndën e zoologjisë e kanë dhënë meshkujt, ti nuk e bën dot”, i kishin thënë. Por ajo e bëri.

Takimi me mentorin e saj, Prof. Kastriot Misja, i ndryshoi jetën deri diku. Ishte ai që e drejtoi drejt insekteve flatrafortë, një fushë ku deri atëherë Shqipëria nuk kishte specialistë. Amaneti i tij ishte i qartë: “Mos i lër të vdesin fluturat”. Dhe ajo e ktheu këtë në mision jete.



Ironikisht, dikur kishte frikë nga insektet. Sot zbulon specie të reja dhe dokumenton sekretet e tyre. Përmes udhëtimeve në zona të thella, shpesh në kushte të vështira jetese, ka mbledhur, studiuar dhe kataloguar pasuri të rralla natyrore.

Shqipëria numëron rreth 205 lloje fluturash, gati gjysmën e atyre që gjenden në Evropë. Janë identifikuar 70 lloje pilivesash në vend, nga 140 që ka kontinenti. 70 flutura janë të rrezikuara në nivel europian. Ndërsa flutura Parnasus apollos është drejt zhdukjes.

Ajo ka krijuar atlasin online të fluturave të Shqipërisë, ku çdo specie ka “pasaportën” e saj me të gjitha të dhënat shkencore në një hartë digjitale. Zbulimi i fundit lidhet me fluturat kriptike, specie që duken identike me të njohurat, por që kanë dallime të mëdha gjenetike.

“Fluturat më treguan se bota shtrihet përtej asaj që shohim”, thotë ajo. Për të, insektet mund të jenë të vogla, por ndikimi i tyre në jetën tonë është i madh. Ajo kujton se “Flutura e Majit” nuk është flutur, por një efemeropter që jeton vetëm një ditë, sa për të lëshuar vezët.

Në Karavasta është hasur Danaus chrysippus, një nga fluturat më të bukura, ndërsa Vanessa atalanta gjendet në gjithë territorin shqiptar. Fluturat Monark janë ndër më jetëgjatat, duke jetuar deri në dy vjet.

22 vite më parë, ajo mori çmimin nga UNESCO “Gratë e reja në shkencë”, një gur i rëndësishëm në murin e dijes. Në një realitet ku gratë shpesh paragjykohen, ajo dëshmoi se shkenca nuk ka gjini.
“Shkenca është dëshirë për të kërkuar dhe eksploruar. Është si të formosh një puzzle derisa të shohësh figurën e plotë.”

E bekuar fillimisht nga gjyshja për pasionin e saj, sot ajo bekon brezat e rinj, sidomos vajzat që duan të ndjekin shkencën. “Duke përqafuar shkencën, gjejmë një rrugë drejt një shoqërie më të mirë.” Për Anila Papariston, marrëdhënia me botën e gjallë është pasuri kombëtare, ndaj dhe biodiversiteti i jashtëzakonshëm i Shqipërisë është dimensioni tjetër i krenarisë sonë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!