Në lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”, vjen një nga figurat më të komentuara të diplomacisë publike kosovare: Elvana Shala.
Ambasadorja e vullnetit të mirë për Kosovën, e emëruar nga International Human Rights Commission, është gruaja që përfaqësoi Kosovën në Parlamentin e Austrisë me beretën e UÇK-së, duke ndezur reagime të forta në mediat serbe.
E ftuar si përfaqësuese e Kosovës në “Zero Project Conference” në OKB, ajo ia kushtoi paraqitjen Ditës së Pavarësisë dhe marshit “Drejtësi, jo Politikë”. “Ishte hera e tretë që përfaqësoja Kosovën në këtë konferencë. Nuk e hoqa beretën, në Parlament nuk pati asnjë problem”, shprehet ajo.
Por të nesërmen, rrjetet sociale dhe mediat austriake shpërthyen. Serbia kërkoi sqarime nga kryetari i Parlamentit, duke e cilësuar beretën si simbol të një “organizate terroriste”.
“Nuk e kisha për tendencë të provokoja askënd. E dija që brenda nuk kishte përfaqësues nga Serbia”, thekson Shala.
Por përtej polemikave, historia e saj është shumë më e thellë. Një diagnozë e gabuar në foshnjëri i ndryshoi jetën përgjithmonë, duke i shkaktuar deformim fizik dhe 10 operime të rënda ndër vite.
Dy ndërhyrjet e para në Beograd (1997–1998) dështuan. Pas luftës, trajtimet në Zvicër e lanë me pak shpresë për ndërhyrje të tjera.
Kthesa erdhi në vitin 2010, falë kirurgut shqiptar Dr. Floren Ramadani, operimet e të cilit përmirësuan gjendjen e saj deri në 80%. As regjim shtrati dhe as karrigia me rrota nuk e ndalën.
Ajo përfundoi paralelisht studimet për Shkenca Politike dhe Gazetari në Universitetin e Tetovës.
Sot ka përfaqësuar Kosovën në pothuajse të gjitha kontinentet, madje edhe në vende që nuk e njohin pavarësinë e saj. Fituesja e çmimeve ndërkombëtare si “Global Changemaker Award”, “Global Youth Leadership Award” dhe “Iconic Women’s Award”, ajo është kthyer në simbol të qëndresës.


