Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përcjell një mesazh nga salla kryesore e seancave të Parlamentit Europian në Bruksel, duke vënë theksin te mbështetja për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Ju përshëndes nga salla kryesore e seancave të Parlamentit Europian, në Bruksel, një institucion që mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Balla në një video-mesazh.
Ai thekson se dokumenti i fundit i prezantuar në këtë institucion vlerëson ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave.
“Draft-Rezoluta e prezantuar javën e kaluar vlerëson progresin e Shqipërisë, rekordin historik të hapjes së të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajsh dhe ambicjen tonë të përmbyllim negociatat brenda 2027”, shprehet ai.
Balla ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në Seancën Plenare të Parlamentit Europian, ku do të mbajë një fjalim në kuadër të debatit “Investimi në të Ardhmen e Europës: Qëndrueshmëria e Tregut të Punës dhe Kohezioni Social”, duke paraqitur progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në, reformat në tregun e punës dhe angazhimin për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027.


