Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka deklaruar se qeveria e tij do të mbështesë çdo nismë për largimin e Andrew Mountbatten-Windsor nga radha e trashëgimisë së fronit britanik.
Në një letër drejtuar kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Albanese konfirmon se Australia do të pajtohej me një propozim të tillë, në dritën e zhvillimeve të fundit që lidhen me Andrew.
Andrew, i cili më herët mbante titullin princ, aktualisht është i teti në radhën e trashëgimisë, pavarësisht se iu hoqën titujt mbretërorë, përfshirë ai “princ”, në tetor, pas presionit të shtuar për shkak të lidhjeve të tij me financierin e dënuar për pedofili, Jeffrey Epstein.
Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një projektligji për ta përjashtuar atë nga radha e trashëgimisë. Kjo vjen pas arrestimit të tij të enjten, nën dyshimet për shpërdorim detyre në një funksion publik. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë. Ish-princi u lirua pas 11 orësh, ndërsa hetimet nga autoritetet britanike vijojnë.
Largimi nga radha e trashëgimisë kërkon miratimin e një akti të Parlamentit britanik dhe mbështetjen e 14 vendeve të Komonuelthit ku Charles III, vëllai i Andrew, është kreu i shtetit, përfshirë Australinë, Kanadanë, Xhamajkën dhe Zelandën e Re.
Në letrën e tij, Albanese thekson se “ligji duhet të ndjekë rrjedhën e tij të plotë dhe duhet të zhvillohet një hetim i drejtë dhe i rregullt”, duke shtuar se bëhet fjalë për “akuza të rënda që australianët i marrin seriozisht”.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i kryeministrit britanik konfirmoi marrjen e letrës dhe deklaroi se qeveria po shqyrton “nëse nevojiten hapa të mëtejshëm”, duke theksuar se “asgjë nuk përjashtohet”, por pa dhënë detaje për shkak të hetimit në zhvillim.
Rasti i fundit i një përjashtimi nga radha e trashëgimisë me akt parlamentar daton në vitin 1936, kur Edward VIII dhe pasardhësit e tij u hoqën nga lista pas abdikimit të tij.
Pallati Buckingham nuk ka komentuar publikisht mbi mundësinë e ndryshimeve ligjore për largimin e Andrew nga radha e trashëgimisë.


