Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik për Diasporën, Taulant Balla bërë thirrje nga Prishtina që të gjithë shqiptarët të bashkohen në marshin me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
I shoqëruar nga djali i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe këngëtari Ylli Limani, Balla u bëri apel shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe diasporë që të marrin pjesë në tubim.
“Të gjithë shqiptarët në diasporë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të veriut, Mal të zi ,Çamëri sot jemi të gjithë në Prishtinë” deklaroi Balla.
Marshi pritet të nisë në sheshin “Skënderbeu” pas pak dhe organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila e ka cilësuar aktivitetin si një dëshmi të unitetit qytetar në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit.
Protesta ka marrë mbështetje mbarëkombëtare dhe për këtë qëllim edhe transporti publik sot në kryeqytetin e Kosovës është falas gjatë ditës, në mbështetje të marshit.


