Në studion e “ABC e Mëngjesit”, specialistja e kafes Anisa Peti ndau të gjitha sekretet për një kafe perfekte, duke e cilësuar atë jo thjesht si pije, por si ritual, moment reflektimi dhe pjesë të identitetit tonë social.
Sipas saj, konsumimi i kafes është një “moment ndalese për të dëgjuar veten”. Kur ulemi të pimë kafe, ndalet ritmi i ditës dhe vëmendja kthehet tek vetja. “Nëse dita nis me kafe, fillon me qetësi. Është një mënyrë përqendrimi”, u shpreh ajo, duke theksuar se shumë nga bisedat më të sinqerta lindin pikërisht mbi filxhanin e kafes.
Sekreti i përgatitjes perfekte Anisa dha edhe disa këshilla konkrete: për një kafe të balancuar duhen rreth 60 ml ujë dhe nuk duhet hedhur kafeja para se uji të ngjitet. Sipas saj, një majë kanelle e bën shijen më të butë. Kafen duhet ta pimë në sasi të vogla, jo esëll, por pas ushqimit dhe ngadalë.
Ajo rrëzoi edhe disa mite të zakonshme. “Kafja e parë duhet të të zgjojë, jo të të japë dridhje. Një kafe e mirë nuk ta rëndon stomakun.” Sipas saj, dita nuk nis me kafe nga varësia, por sepse ajo i jep trurit sinjalin e zgjimit.
Kafe pa sheqer? Ja si ta heqësh dorë
“Është normale ta pish me sheqer, sepse kafeja është e hidhur,” tha Anisa, duke zbuluar sekretin: shto më shumë ujë që kafeja të dalë më e butë dhe më pak e hidhur. Gjithashtu mund të përdoren qumësht, vanilje apo kanellë, pasi truri i lexon si ëmbëlsi.
Ajo rrëfeu se dikur e pinte kafen me katër lugë sheqer, sepse nuk e duronte shijen. Sot e konsumon ndryshe, jo thjesht si eksperte, por sepse njeh vlerat e saj.
Çfarë është realisht “një kafe e fortë”?
Shumë e lidhin kafen e fortë me më shumë kafeinë apo me ngjyrë më të errët, por sipas Anisës kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Një shije e fortë vjen zakonisht nga një pjekje shumë e errët, që mund të japë edhe ndjesinë e djegies. Ndërsa sasia e kafeinës nuk përcaktohet thjesht nga shija.
“Kafeina nuk është forcë, është stimulues. Të zgjon ditën dhe të vjedh gjumin natën,” theksoi ajo.
Kafeja pa kafeinë nuk është “fallco”
Sipas saj, kafeja decaf është zgjedhje e duhur për personat intolerantë ndaj kafeinës, për ata me rrahje të shpeshta zemre apo për gratë shtatzëna. Antioksidantët mbeten të pranishëm edhe në decaf, ndaj ajo është ende kafe “normale”./abcnews.al


