Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

REL: 18-vjetori i shtetësisë gjen Kosovën mes festës dhe protestës

schedule07:53 - 17 Shkurt, 2026

schedule 07:53 - 17 Shkurt, 2026

Për Hashim Thaçin, e marta e 17 shkurtit është dita e parë pas gjashtë sosh që nuk niset për në sallën e gjyqit për t’i dëgjuar deklaratat përfundimtare në rastin kundër tij dhe tre ish-eprorëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Po të njëjtën ditë, 18 vjet më parë, ai e shkruante historinë: e shpallte Kosovën shtet të pavarur.

Thaçi, ish-president, Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.



Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000.

Pavarësisht mijëra kilometrave larg, ky proces e ka ndikuar shpesh përditshmërinë në Kosovë.

Njëjtë edhe në përvjetorin e pavarësisë: 17 shkurti do të jetë ditë e përzier mes festës dhe protestës. Festë, sepse vendi mbush 18 vjet – numër që simbolizon moshën e pjekurisë në shumë vende, dhe protestë për, siç thuhet, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë.

Në këtë proces, Prokuroria i ftoi rreth 125 dëshmitarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin anonimë, ndërsa mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit ftuan emra me nam, sikurse gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, ish-ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christpher Hill.

Prej 9 deri më 18 shkurt, përjashtuar datën 17, në Hagë shpalosen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto deklarata janë një lloj analize e provave që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe kanë peshë të madhe në krijimin e opinionit te trupi gjykues.

“Palët që do të arrijnë të argumentojnë dhe të bindin trupin gjykues që prova të caktuara kanë apo nuk kanë peshë relevante, si dhe vlerësimi i rrethanave, mund të kenë ndikim në marrjen e vendimit përfundimtar”, vlerëson ai.

Prokuroria, gjatë fjalës së vet, kërkoi dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve. Për ekipet mbrojtëse, një kërkesë e tillë është e barasvlershme me burgim të përjetshëm, prandaj ato i hodhën poshtë të gjitha pretendimet e palës tjetër.

Alija thotë se kërkesa e Prokurorisë nuk ka bazë ligjore – as në ligjin ish-jugosllav, që ishte në fuqi në kohën kur pretendohet të jenë kryer krimet më 1998-’99, dhe as në ligjet aktuale të Kosovës.

Asokohe, dënimet maksimale mund të shkonin deri në 20 vjet burgim, ndërsa me ligjet e tanishme të Kosovës dënimet parashohin deri në 35 vjet burgim.

“Në procedurat ligjore, trupi gjykues duhet ta ketë parasysh parimin universal ‘lex midio’, që do të thotë se ligji që është më i favorshëm në rastin e shqiptimit të dënimit duhet të aplikohet në procedurën penale”, pohon Alija.

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Prokurorisë e ka prekur “një nerv publik” në gjithë Kosovën.

Për të, kërkesa e tillë është fyese dhe skandaloze, dhe një përpjekje dëshpërimi e Prokurorisë që të kërkojë maksimumin, që të sigurojë të paktën një dënim më të vogël.

“Nuk mendoj se Prokuroria ka prodhuar rast bindës, ekziston një hendek jashtëzakonisht i madh mes dokumentimit të krimeve, të cilat edhe mbrojtja nuk po i konteston, dhe ndërlidhjes së tyre me Shtabin e Përgjithshëm [të UÇK-së], dhe pretendimin se kjo ka qenë e centralizuar. Me një hendek kaq të madh, verdikti fajësues për mua duket i pabesueshëm. Të kërkosh dënim sikurse për kriminelët e luftës, që kanë vrarë me dhjetëra mijëra civilë të pafajshëm, është krejtësisht joproporcionale”.

Por, përveç zërave që i kanë mbështetur gjithmonë ish-eprorët e UÇK-së, këtë herë fjala në mbrojtje të tyre u përhap edhe në nivele institucionale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit, gjatë prezantimit të përbërjes së re të Qeverisë më 11 shkurt, duke thënë se përpjekjet e Prokurorisë në Hagë janë “një orvatje që bie ndesh me të vërtetën”.

Ai, madje, e themeloi edhe një ministri të re: për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Një ditë më vonë, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë e cila kërkon gjykim të drejtë për të akuzuarit në Hagë.

Kurti, me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, kanë qenë tejet kritikë ndaj Gjykatës Speciale, dhe patën votuar kundër formimit të saj. Më 2017, në Kuvendin e Kosovës ishin bërë përpjekje edhe për shpërbërjen e gjykatës, por pa sukses.

Duke kthyer në kujtesë këtë fakt, për Maliqin qasja kaq e zëshme e Kurtit në mbrojtje të luftës së UÇK-së është përpjekje e tij për t’u dukur më gjithëpërfshirës, ndërsa risi është qasja e presidentes Osmani, meqë në të kaluarën, siç thotë ai, ajo e ka ushqyer një narracion mjaft të ndryshëm me ish-krerët e UÇK-së, sa ata ishin në pushtet.

Osmanit i skadon mandati si presidente edhe disa javë, dhe ajo e ka bërë tashmë të qartë synimin për një mandat të dytë. Megjithatë, nuk dihet nëse do t’i ketë votat e nevojshme.

A mund të jetë kjo njëra prej arsyeve pse Osmani është kaq e zëshme për UÇK-në dhe luftën e saj?

Maliqi nuk e përjashton si mundësi: “Presidentja Osmani është treguar viteve të fundit, le te quaj kështu ‘skiatore e sllallomit’ në mjaft momente të caktuara, e aftë t’i ndryshuar dhe përshtatur qëndrimet në përputhje me interesat e saj politike”.

Sa i përket aspektit juridik, Alija rikujton që deklaratat dhe rezoluta janë veprime politike, protesta është e drejtë kushtetuese, por që në procesin gjyqësor nuk kanë asnjë peshë.

Rezoluta për gjyqin në Hagë përbën ndër vendimet e para që i ka miratuar legjislatura e re e Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Gjithë viti 2025 mund të përshkruhet lehtësisht si vit i humbur legjislativ, pa institucione funksionale dhe me qasje thellësisht përçarëse ndërmjet partive, çka rezultoi me proces të ri zgjedhor, në të cilin Kurti shënoi fitore bindëse – me mbi 51 për qind të votave – dhe kështu e formoi lehtësisht Qeverinë e re.

Por, kur Maliqit i kërkohet të kthehet mbrapa në kohë, përtej 2025-tës, dhe të reflektojë për 18 vjetët e shtetësisë së Kosovës, ai thotë shkurt se sheh rritje simbolike të pjekurisë shtetërore, dhe një përparim të dukshëm, por që mundësitë e humbura janë të jashtëzakonshme.

“Ka konsolidim të demokracisë, por është shumë e brishtë. Dhe, nën presion të vazhdueshëm. Në këtë mandat të dytë të plotë të Kurtit, do të jetë sfidë se si të mbrohen institucionet nga përpjekja për sundim”.

Me raste, Qeveria paraprake e Kurtit është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian për veprime të njëanshme, kur bëhej fjalë për të drejtat e minoritetit serb dhe për mungesë të theksuar kompromisi. Për pasojë, Uashingtoni e ka pezulluar Dialogun Strategjik ende pa nisur, ndërsa Brukseli e ka ndëshkuar vendin me sanksione, që vetëm tani ka nisur t’i heqë gradualisht.

Shikuar në rrafsh ndërkombëtar, Kosova nuk ka arritur as anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në BE, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), apo në Këshillin e Evropës.

Shtetësia e saj njihet prej 121 vendeve të botës sot, por sfidë ende përbën mungesa e njohjeve nga katër vende të NATO-s dhe nga pesë të bllokut evropian.

Si histori suksesi mund të veçohen rastet kur sportistët e kanë ngritur flamurin në gara ndërkombëtare, veçanërisht në sportin e xhudos, ku janë siguruar medalje olimpike.

Në aspektin ekonomik, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, dhe pa investitorë të mëdhenj.

Si vend me 1.5 milion banorë, prioriteti kryesor duket lehtë i identifikueshëm: ruajtja e aleancave me vendet që i ndihmuan të pavarësohej, sidomos me SHBA-në.

Në këtë drejtim luajnë rol edhe lëvizjet, sikurse ajo e presidentes Osmani për të qenë pjesëmarrëse në themelimin e Bordit të Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

“Kosova e ka jetike marrëdhënien me SHBA-në, njësoj sikurse e ka rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kosova nuk ka çfarë të humbë nëse futet në nisma që nuk bien ndesh me asnjërën prej këtyre dy objektivave”, thekson Maliqi.

Një tjetër proces me rëndësi, sipas tij, është integrimi i serbëve të Kosovës.

Ai porosit liderët që të mos kenë si pikënisje qasjen krejtësisht reaktive ndaj Serbisë, por që ta shpërfillin atë dhe të mos ia mundësojnë prishjen e agjendave të saj.

Serbia vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës, dhe pavarësisht dialogut që zhvillojnë dy palët në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, rezultatet janë të zbehta.

Në këtë drejtim, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zotim i Kosovës që del nga ky proces, përbën ndër sfidat më të mëdha për Qeverinë e re të vendit.

Në periudhë afatshkurtër, rëndësi do të ketë edhe se si përfundon procesi gjyqësor në Hagë.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, rasti do të kalojë te gjyqtarët, të cilët do t’i kenë tre muaj kohë që të marrin një vendim.

Alija beson që ata mund të kërkojnë edhe dy muaj shtesë për shqyrtimin e provave, meqë rasti është goxha voluminoz.

Ndërkohë, më 17 shkurt, sheshet e Prishtinës do të jenë sërish të mbushura me njerëz.

Do të ketë emocione krenarie e mburrjeje për paradën e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është në rrugë për t’u transformuar në ushtri, por edhe thirrje për drejtësi për të akuzuarit në Hagë.

Sheshet ishin plot edhe më 17 shkurt 2008.

Gëzimi atëherë e kishte prekur kulmin, pavarësisht motit të acartë. Ndoshta ishte ogur për gjithë sfidat që do t’i përjetonte Kosova përgjatë rritjes së saj…/REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!