Arturo Vidal mbetet objektivi kryesor i Interit për mesfushën, por tratativa me Barcelonën nuk po zhbllokohet. Zikaltrit nuk duan të mbeten të papërgatitur dhe kanë një plan B. Mediat italiane raportojnë se alternativa e kilenit është Julian Weigl, lojtari i Borussia Dortmund.
24-vjeçari kryen disa role, si mesfushorin defensiv dhe atë të qendërmbrojtësit. Interi ka marrë informacion në lidhje me situatën e tij dhe është gati të nisë një tratativë, gjithmonë nëse nuk arrihet marrëveshja me Barcelonën për Vidal.
Weigl është një titullar fiks i verdhezinjve dhe numëron 18 ndeshje dhe 1 gol të shënuar këtë sezon. Gjermani numëron edhe 5 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren gjermane, teksa përveç aftësive defensive, inkursionet drejt portës kundërshtare janë një ndër cilësitë e tij më të mira. /abcnews.al