Arabia Saudite njoftoi një paketë të madhe investimesh në Siri që përfshin energjinë, aviacionin, pasuritë e paluajtshme dhe telekomunikacionin.
Sipas mediave të huaja, Arabia Saudite nisi një fond investimesh në Siri që do të vë në dispocion 7.5 miliardë rialë sauditë (2 miliardë dollarë – 1.7 miliardë euro) për të zhvilluar dy aeroporte në qytetin sirian të Alepos në faza të shumëfishta, tha të shtunën Ministri i Investimeve i Arabisë Saudite Khalid al-Falih.
Fondi Elaf synon të financojë projekte në shkallë të gjerë në Siri me pjesëmarrjen e investitorëve privatë sauditë, shtoi al-Falih.
Në aviacionin civil, transportuesi saudit flynas dhe Autoriteti Sirian i Aviacionit Civil nënshkruan një marrëveshje për të krijuar një linjë ajrore të re, “flynas Syria”.
Ndërmarrja e përbashkët do të jetë 51 përqind në pronësi të palës siriane dhe 49 përqind nga flynas, me operacionet që pritet të fillojnë në tremujorin e katërt të vitit 2026, tha kompania.
Operatori më i madh i telekomunikacionit në Arabinë Saudite, STC, do të investojë gjithashtu më shumë se tre miliardë rialë (799.96 milionë dollarë – rreth 677 milionë euro) për të “forcuar infrastrukturën e telekomunikacionit dhe për të lidhur Sirinë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar përmes një rrjeti me fibra optike që shtrihet në më shumë se 4,500 kilometra”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.
Siç theksojnë mediat, investimet e fundit shënojnë njoftimin më të madh të tillë që kur SHBA-të hoqën sanksionet ndaj Sirisë në dhjetor.
“Ne përgëzojmë marrëveshjet e investimeve saudite-siriane të shpallura këtë javë. Partneritetet strategjike në aviacion, infrastrukturë dhe telekomunikacion do të kontribuojnë ndjeshëm në përpjekjet e rindërtimit të Sirisë”, tha Tom Barrack, i dërguari i SHBA-së në Siri, në X.
Vitin e kaluar, Riadi njoftoi 6.4 miliardë dollarë (rreth 5.4 miliardë euro) investime, të ndara në 47 marrëveshje me më shumë se 100 kompani saudite që punojnë në pasuri të paluajtshme, infrastrukturë dhe telekomunikacion.
Të dy palët nënshkruan gjithashtu një memorandum mirëkuptimi dhe një marrëveshje të përbashkët zhvillimi me ACWA Power të Arabisë Saudite dhe Kompaninë Saudite të Transmisionit të Ujit, duke përcaktuar një plan rrugor për bashkëpunim në sektorin e ujit.
“Kemi hartuar plane për të ngritur një impiant shkripëzimi të ujit të detit, me qëllim që të sjellim ujë të freskët nga bregu sirian në jug të vendit”, ka thënë ministri i Energjisë i Sirisë, Mohamed al-Bashir.


