Duhet të ishte gara që do të celebronte karrierën e madhe të një kampione madje edhe shpirtin olimpik. Por premiera e Lindsey Vonn në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” as nuk iu afrua asaj që kishte ëndërruar skiatorja amerikane.
Madje, ai që do të ishte turneu i fundit në jetën sportive të 41-vjeçares u kthye në një makth të vërtetë.
Lindsey Vonn u cilësua si mishërimi i sakrificës sportive, pasi vendosi të marrë pjesë në Lojërat Dimërore me një dëmtim të rëndë në gjurin e saj.
Pak ditë nga nisja e “Milano Cortina 2026” ajo zbuloi se kishte këputur ligamentet e kryqëzuara gjatë rrëzimit në garat e Crans Montana.
Por tjetër gjë është dëshira dhe një tjetër gjë kur trupi nuk përgjigjet.
Dhe në garën e parë të zbritjes, Lindsey Vonn pësoi një tjetër rrëzim të rëndë në pistë, duke sjellë momente të vërtet paniku.
Pamjet tregojnë humbjen e kontrollit dhe përplasjen e fortë të skiatores amerikane, që mes dhimbjesh mori ndihmën e parë, ndërsa më pas u dërgua me helikopter për një ndihmë më të specializuar në spital.
Një fund i hidhur për atë që konsiderohet si një nga skiatoret më të mira të historisë, që tërhiqet përfundimisht nga garat e torturuar nga lëndimet e shumta, por me një palmares plot me trofe, si pak të tjerë në sportet dimërorë.


