Fondacioni i bamirësisë i Sarah Ferguson, “Sarah’s Trust”, ka njoftuar se do të mbyllet “për një periudhë të pacaktuar”, vetëm disa ditë pasi dolën në dritë detaje të reja mbi miqësinë e ish-Dukeshës së Jorkut me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein, që vdiq në burg në vitin 2019.
Një zëdhënës i fondacionit tha se vendimi vjen pas “disa muajsh” diskutimesh.
Mes më shumë se tre milionë dokumenteve të publikuara javën e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) kishte email-e që duket se tregojnë se Ferguson ishte në kontakt me Epstein-in ndërsa ai ndodhej në burg për kërkim shërbimesh seksuale nga një i mitur. Megjithatë përmendja në dosjet e Epstein nuk është tregues i ndonjë shkeljeje ligjore.
Fondacioni Sarah’s Trust u themelua në vitin 2020 dhe, sipas faqes së saj të internetit, është “i përkushtuar për të mbështetur punën në terren, në nivel bazë, për të trajtuar krizën humanitare dhe mjedisore, krizën e urisë dhe çështjet që ushqejnë
ciklet e varfërisë ekstreme”.
“Kryetarja jonë Sarah Ferguson dhe bordi i administratorëve kanë rënë dakord, me keqardhje, që fondacioni bamirës do të mbyllet së shpejti për një periudhë të pacaktuar,” tha një zëdhënës të hënën në mbrëmje, citon BBC. “Kjo ka qenë objekt diskutimi dhe në proces prej disa muajsh,” shtoi ai.
Fondacioni nuk dha detaje të mëtejshme mbi arsyet e vendimit për t’u mbyllur.
Zbulimet e mëparshme lidhur me lidhjet e ish-dukeshës me Epstein çuan në largimin e saj si ambasadore nga një sërë shoqata bamirësish vitin e kaluar.
Julia’s House, një bujtinë për fëmijë, ishte e para që e hoqi atë, duke thënë se ishte “e papërshtatshme” që ajo të vazhdonte në atë rol.
Publikimi më i fundit i dosjeve që lidhen me Epstein përfshinte edhe fotografi të ish-bashkëshortit të Ferguson, Andrew Mountbatten-Windsor, i cili shfaqej i gjunjëzuar mbi një femër të shtrirë në dysheme.
Por Mountbatten-Windsor ka mohuar gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme dhe të vendosur çdo shkelje.
Në paketën më të fundit të dokumenteve të publikuara nga DoJ, ish-dukesha shfaqet duke e lavdëruar Epstein-in dhe duke e quajtur si “vëllai që kam dashur gjithmonë”.
Në një email tjetër, Ferguson duket se e përgëzon Epstein për ardhjen e një “djali të porsalindur”.
Email-e të tjera lidhen me biznesin e Ferguson, Mothers Army, ku ajo i kërkon financierit pedofil këshilla se si ta vërë në funksion atë.
Epstein u lirua nga burgu më 22 korrik 2009 pasi vuajti 13 muaj nga një dënim prej 18 muajsh. Një email i datës 14 qershor 2009 nga një grua e quajtur Sarah thotë: “Më duhet të të pyes se si ta nis kompaninë Mothers Army në mënyrë që të jetë komerciale, si ta bëj këtë? A mund të më ndihmosh?”
Më pas, më 26 qershor 2009, i njëjti person i shkruan Epstein-it duke thënë: “Jam gjallë… po, shkova te zonja e parë dhe ajo e pëlqeu Mothers Army. Do të të telefonoj më vonë. Të dua.”


