Për Yulia Hailunas, një ukrainase, sfida më e madhe pas sulmeve ajrore ruse nuk janë ndërprerjet e energjisë elektrike, por i ftohti ekstrem brenda shtëpisë së saj.
Ashtu si mijëra ukrainas të tjerë, ajo ka mbetur pa ngrohje që nga janari, kur Rusia intensifikoi sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës.
Në apartamentin e saj në Dnipro, Yulia përpiqet të mbijetojë duke veshur pallto të trasha, duke ngrohur këmbët me ujë të nxehtë dhe duke bërë ushtrime fizike për të ruajtur temperaturën e trupit. Situata pritet të përkeqësohet, pasi temperaturat parashikohen të zbresin nën -20 gradë Celsius në ditët në vijim.
“Frika më e madhe është se tubat e ngrohjes do të shpërthejnë dhe nuk do të kemi më mundësi t’i riparojmë. Kjo do të ishte katastrofë”, shprehet ajo.
Të enjten, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Vladimir Putin kishte rënë dakord të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj qyteteve kryesore të Ukrainës gjatë valës së të ftohtit ekstrem.
Në Pavlohrad, dhjetëra familje të evakuuara presin ndihmë në qendrat për të zhvendosurit.
“Është si të braktisësh një pjesë të vetes”, thotë Kateryna, e cila u largua nga fshati i saj për të mbrojtur dy fëmijët nga bombardimet e vazhdueshme me dronë.
Sistemi energjetik i Ukrainës është vënë në shënjestër për të katërtin dimër radhazi, duke u bërë gjithnjë e më i brishtë. Inxhinierët po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer energjinë dhe ngrohjen, por besimi i qytetarëve se Rusia do të respektojë ndonjë armëpushim mbetet i ulët.
Ndërsa bisedimet për paqe vazhdojnë me ndërmjetësimin e SHBA-ve, shumë ukrainas shprehen skeptikë. / abcnews.al /


