Skena shqiptare ka humbur aktorin e njohur Fitim Makashi. Ai u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare pas një sëmundjeje të vështirë. Makashi është një prej figurave që ka dhënë një kontribut të çmuar në historinë e kinemasë dhe teatrit shqiptar. Ai do të mbahet mend për profesionalizmin, pasionin dhe dashurinë për artin.
Pasi përfunoi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Makashi u angazhua për vite me radhë në Teatrin Popullor, ku interpretoi dhjetëra role në drama dhe komedi, duke u vlerësuar për natyrshmërinë e tij në skenë.
Ai la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në filma të njohur që nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90 si: “Dueli i heshtur” (1967), “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992).
Ai u bë pjesë e rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinematogarisë shqiptare.
Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi punoi si pedagog, ku ndihmoi në formimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë. Ai është babai i këngëtarit Redon Makashi. Me rolet e tij, Fitim Makashi ka lënë pas një trashëgimi artistike në teatrin dhe filmin shqiptar. / abcnews.al /


